Zbulohen të tjera detaje nga kontrata e lobimit të Berishës...
Sali Berisha është gati të paguajë miliona për të hequr “non gratën”, edhe pse nuk ja doli dot ta heqë para zgjedhjeve, kreu i PD synon ta realizojë atë në javët apo muajt në vijim dhe i ka hyrë fort lobimit.
Ai ka lidhur një kontratë me Continental Strategy, ku do t’i paguajë 6 milionë dollarë në dy vite, kontrata kjo më e shtrenjtë e lobimit e firmosur ndonjëherë nga një parti shqiptare.
Por kush janë njerëzit që ka gjetur Berisha për të lobuar te sekretari Rubio, me shpresën se do t’i hiqet damka e korrupsionit?
Kompania “Continental Strategy” u themelua në vitin 2021 nga këshilltari i tij Carlos Trujillo. Zoti Trujillo e themeloi Continental menjëherë pasi Trump la detyrën, pasi kishte shërbyer në administratën e tij të parë si ambasador në Organizatën e Shteteve Amerikane. Po ashtu ai njihet si avokat i Presidentit Trump.
Vetëm disa ditë pas rizgjedhjes së Donald Trump si President i SHBA-ve për herë të dytë, Continental njoftoi një promovim për Katie Wiles, vajzën e Susie Wiles, që shërbeu si shefja e fushatës së presidentit Trump. Aktualisht Shefja e Kabinetit të Shtëpisë së Bardhë. Kjo e fundit ka qenë bashkë me LaCivita pjesë e ekipit të fushatës.
Disa ditë më pas, Continental kontraktoi Alberto Martinez, një ish shef stafi i sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, si një partner menaxhues për të ndihmuar në rritjen e mëtejshme të Continental.
Ndërkohë, në mesin e dhjetorit të vitit të kaluar firma punësoi zëvendës drejtorin politik të fushatës së Trump, Alex Garcia si partner.
Sipas kontratës, kompania e lobimit do të ofrojë shërbimet e mëposhtme për llogari të Partisë Demokratike:
1- Krijimi i marrëdhënieve me aktorët kryesorë në qeverinë dhe kongresin e SHBA-ve për të lehtësuar zhvillimin e politikave.
2- Mbështetje për të promovuar demokracinë, nismat kundër korrupsionit dhe reformat qeveritare në përputhje me marrëdhëniet SHBA-Shqipëri.
3- Përdorimi i përvojës së gjerë në marrëdhëniet me qeverinë, advokimin e politikave, të dërguarit ligjorë dhe angazhimin e palëve të interesuara në linjë me objektivat e Partisë Demokratike dhe koalicionit të saj, Aleanca për Shqipërinë e Madhe.

Pra, duket se Berisha ka gjetur njerëz shumë të afërt me Trump dhe Rubion, me shpresën se ata do të lobojnë në DASH për të zhbërë vendimin e Blinken. Por pyetja që ngrihet është: Ku i gjen Berisha kaq shumë para? Në kontrata futet emri i një personi nga Tropoja, por zor se dikush e kapërdin. Nuredin Seci që del garantor, rezulton prej 30 vitesh si sportist dhe trajner i ekipit të Alpinizmit Valbona. Pra ku burojnë milionat? /Pamfleti



Lini një Përgjigje