TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Qershor 2026, 19:30

“Mos ua lini Shqipërinë derrave!”, emigrantët i bashkohen protestës para Kryeministrisë

Shkruar nga Pamfleti

“Mos ua lini Shqipërinë derrave!”, emigrantët i

Protesta e qytetarëve para Kryeministrisë në Tiranë ka vijuar edhe ditën e sotme, ku në qendër të kërkesave mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimi i klasës politike në vend.

Mes pankartave, flamujve kuqezi dhe thirrjeve “Rama në burg, Berisha në burg”, në protestë kanë marrë fjalën edhe emigrantë shqiptarë të ardhur nga vende të ndryshme të botës, të cilët kanë shprehur mbështetjen e tyre për lëvizjen qytetare.

Një qytetar i ardhur nga Zvicra tha se emigrantët, pavarësisht largimit nga Shqipëria, nuk e kanë harruar vendin dhe kombin e tyre, ndërsa u bëri thirrje bashkatdhetarëve që t'i bashkohen protestave.

“Kemi ardhur nga Zvicra, por kemi qenë të parët që kemi ikur. Por kombin tonë gjuhën tonë nuk e kemi harruar. 'Rama në burg, Berisha në burg'. I bëj thirrje të gjithë Diasporës dhe mërgatës shqiptare. Ndoshta ne kemi ikur dhe ju kemi lënë këtu, por kurrë nuk ju kemi harruar dhe kurrë nuk e kemi harruar kombin tonë. Ato biletat e lira që Rama i shet sikur na ka bërë nder, i shet që ne të ikim sa më parë. Hajdeni me 10 qershor, ta lidhim besën me njëri-tjetrin”, tha ai.

Ndërkohë, një tjetër protestues i ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklaroi se emigrantët nuk janë larguar për të braktisur Shqipërinë, por me shpresën për t’u rikthyer dhe kontribuar për vendin.

“Kam ardhur nga Amerika. Dua të kuptoni që nuk kam ikur për të mos u kthyer më në Atdhe. Kështu si puna ime janë edhe emigrantët kudo nëpër botë. Do kthehemi për ta ndërtuar. Të bashkohemi kundër pushteti diktatorial, që nuk e paskemi rrëzuar dot në ’91. I bëj thirrje rinisë të bashkohet. Dorëheqje pa kushte për Ramën e Berishën që janë fajtor për gjithçka ka ndodhur”, tha ai.

Në protestë mori pjesë edhe një emigrante nga Shkodra, e cila prej më shumë se tre dekadash jeton jashtë Shqipërisë. Ajo akuzoi klasën politike për gjendjen e vendit dhe u bëri thirrje qytetarëve të mos largohen nga Shqipëria.

“Jam shkodranë kam 34 vite në emigrim. Na ka ardhur në majë të hundës. Mos e lëshoni Shqipërinë, këtu ta bëjmë luftën deri në vdekje. Nuk është askush i lumtur në emigrim. Qëndroni, Sali Berisha e Edi Rama duhet të shkojnë në burg. Ata na kanë bërë me ik, ta marrin rrugën. Na kanë grabitur pronën. Ju përgjërohem, mos e lëshoni Shqipërinë, mos ua lini derrave. Boll më. Emigracionit i bëj thirrje që të vijnë këtu. Këtu të vijnë. Të marrin pushime të vijnë këtu. Shqipëria e duam më të mirë”, tha ajo.

Protesta para Kryeministrisë vijon me fjalime dhe thirrje kundër qeverisë dhe klasës politike, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vazhdimin e mobilizimit edhe në ditët në vijim.

Lini një Përgjigje