Protesta shkund kastën e të korruptuarve në PD dhe PS
Përveç thirrjeve kundër qeverisë dhe klasës politike, protesta para Kryeministrisë po artikulon gjithnjë e më qartë edhe propozime konkrete për ndryshime në sistemin politik dhe institucional të vendit.
Duke brohoritur sloganin "Shqipëri e Re", qytetarët paraqitën disa kërkesa që sipas tyre synojnë reformimin e mënyrës së qeverisjes dhe funksionimit të institucioneve. Mes propozimeve kryesore ishte kufizimi i mandateve të kryeministrit dhe presidentit në jo më shumë se dy mandate, si dhe ndalimi i mbajtjes së njëkohshme të disa posteve politike.
Një prej protestuesve deklaroi se përqendrimi i pushtetit në duart e një personi ose një grupi të vogël ka sjellë degradimin e institucioneve dhe mungesën e kontrollit demokratik.
"Kryeministri dhe presidenti të mos kenë më shumë se 2 mandate. Kryeministri dhe ministrat të mos jenë më deputetë e kryetar partish. Shohim kryeministra, ministra, deputetë dhe kryetar parlamenti që është një kukull. Kryetar partie me të gjitha pushtetet. Duhet të mbarojë kjo se prej këtu na vjen e keqja", u shpreh qytetari.
Ai ngriti gjithashtu shqetësime për sistemin e drejtësisë, duke kërkuar përgjegjësi më të madhe për vendimmarrjen e gjyqtarëve.
"Gjyqtarët japin vendime të padrejta, e kemi vuajtur vetë, drejtësi e degjeneruar. Duhet të mbajnë përgjegjësi penale për vendimet e gabuara", tha ai.
Protestuesi u ndal edhe te situata politike në vend, duke kërkuar largimin si të kryeministrit Edi Rama, ashtu edhe të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
"Rama duhet të dorëhiqet, të ikë edhe Berisha, është një opozitë false", deklaroi qytetari.
Kërkesa të tilla po dëgjohen gjithnjë e më shpesh në protestat e ditëve të fundit, të cilat nga një kundërshtim ndaj projektit në Zvërnec po shndërrohen në një platformë më të gjerë pakënaqësie ndaj sistemit politik dhe institucioneve të vendit.
Lini një Përgjigje