Seanca plenare u shoqërua me përplasje mes deputetit të Lëvizja Bashkë, Redi Muçi, dhe kreut të Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla.
Muçi akuzoi Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike se dy javë më parë mbyllën me marrëveshje seancën plenare për t'iu shmangur protestuesve.
“Protestuesit janë aty jashtë. Meqë Balla foli për parlamentarizmin, në seancën e para dy javëve të dyja palët ratë dakord ta mbyllet seancën që të shmangnit protestuesit. Balla iu qep protestuesve duke i akuzuar për krime të supozuara dhe u qau hallin këtyre që po bëjnë zhurmë tani. Një popull që nuk shkundet nuk mund ti ndjej zinxhirët me të cilët mbahet lidhur, populli shqiptar ka 31 ditë që po i përplas krahët për tu shqyer qytetarët me të cilët i mbani lidhur. Duhet të dini diçka, se ky popull e ka mposhtur frikën, shqiptarët po këndojnë poshtë patronazhistët. Tani që Vuçiç ra nga froni, radhën e ka ky i juaji”, tha Muçi.
Deklaratat e deputetit të Lëvizja Bashkë morën përgjigje nga Taulant Balla, i cili e akuzoi Muçin se synon mbylljen e shpejtë të legjislaturës për shkak të marrëveshjes politike me pasardhësin e tij në listë. Ministri ironizoi edhe pjesëmarrjen në protesta, duke thënë se synimi i tyre është të fitojnë vëmendje në rrjetet sociale.
“Deputeti që sapo foli ka një hall shumë të madh se do që parlamenti të mbarojë sa më shpejt se vitin tjetër duhet të lëshojë mandatin që të vijë ai tjetri siç e kanë marrëveshjen. Llapi ka sjellë tezen, ai tjetri ka sjellë atë që i mban çantën. Këta janë ata që shkojnë te protesta për ndonjë selfie dhe për të marrë ndonjë like në Facebook. Vuçiqi nuk i shkon krahasimi asnjë politikani shqiptar. Edi Rama e ka shkruar emrin e vet në historinë e këtij vendi si kryeministri i parë dhe i vetëm që në mes të Beogradit ia ka thënë mu në ballë historinë Serbisë sa i përket Kosovës, është udhëheqësi i vetëm që në Beograd ka shpallur pavarësinë e Kosovës. PS me forcë nuk i merrni dot asgjë. Sa kam parë si ty unë...”, tha Balla.
Lini një Përgjigje