Meta u kujdes të tregojë se një kandidat për kryeministër duhet të ketë mbështetje ndërkombëtare, gjë që Berisha nuk e ka...
Ilir Meta ka lëshuar mesazhe të shumta goditëse sot në adresë të Sali Berishës dhe PD. Meta mblodhi Komitetin Drejtues Kombëtar të Partisë së Lirisë, ku e bëri të qartë se nuk pajtohet me mënyrën se si po vepron opozita. Ai po tenton të provojë partinë e tij, duke shfrytëzuar izolimin e Berishës dhe krizën në PD.
Por Meta sot e ka bërë të qartë se nuk pranon që kryeministër të jetë Berisha nëse opozita fiton zgjedhjet. Ai ka lënë të nënkuptohet se ai është “non grata” dhe jo i gjithëpranuar nga të gjithë.
“Partia e Lirisë është e gatshme të kontribuojë në konsolidimin e gjithë forcave opozitare, në një organizim konsensual dhe solid, për të përgatitur dhe paraqitur përpara shqiptarëve ofertën politike që do t’u ktheje atyre sovranitetin e zgjedhjes, do t’u kthejë qeverisjen e përkujdesur e llogaridhënëse, të kthejë të larguarit dhe të shpejtojë integrimin në Europë, duke fituar zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Partia e Lirisë është e vendosur, që në funksion të këtij qëllimi të mirëpresë çdo kontribut nga brenda dhe jashtë politikës që do t’i shërbejë një konsensusi, pjesëmarrje e përfaqësimi sa më të gjerë të forcave opozitare, duke filluar që nga votuesi i thjeshtë dhe deri në nivelin më të lartë të drejtimit të opozitës, nëpërmjet zgjedhjes së një kandidati për Kryeministër, që do të gëzonte një mbështetje sa më të gjerë politike dhe shoqërore”, tha Meta.
Dhe mesazhi thumbues u dha në fund: “Politika ekziston jo për t’u shërbyer liderëve apo interesave të tyre por si shërbim për qytetarët, si mundësi për t’i bërë ata më të mirëqenë, për ta bërë vendin të qëndrojë me dinjitet krah fqinjëve, partnerëve dhe aleatëve”.
Meta u kujdes të tregojë se një kandidat për kryeministër duhet të ketë mbështetje ndërkombëtare, gjë që Berisha nuk e ka. Pra duket sikur Meta po rreshtohet krah disa deputetëve brenda PD që nuk e duan Berishën dhe po jep sinjale se në vitin 2025 do të kemi një luftë të ashpër brenda opozitës. Nëse gjykata nuk flet dhe vula i mbetet Bashës, Berisha do jetë në dorë të Metës dhe sinjalet e konfliktit janë dhënë.
Me pak fjalë, Meta duket se po hyn në garë për lider të opozitës dhe shpreson që të katapultohet nesër kryeministër.
Lini një Përgjigje