TAGS-AT E JAVËS

Politike28 Mars 2026, 07:45

Nga Kadastra te përplasjet me Spiropalin, Rama mbledh sot grupin e PS dhe drejtorët e institucioneve

Shkruar nga Pamfleti

Kreu i Qeverisë ka paralajmëruar ndryshime në këtë agjenci që nisën me zhvendosjen e Kadastrës së Vlorës drejt kryeqytetit, që do të vijojë edhe me drejtori të tjera.

Nga Kadastra te përplasjet me Spiropalin, Rama mbledh sot grupin e PS dhe
Kryeministri Edi Rama

Ditën e sotme do të zhvillohet mbledhja e Grupit Parlamentar të Partia Socialiste, ku në qendër janë sfidat në Kuvend dhe axhenda ligjore e javëve në vijim.

Në takim që do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve, do të marrin pjesë deputetët socialistë, ministrat e qeverisë dhe drejtues institucionesh.

Në diskutim janë disa nisma të rëndësishme, përfshirë Kodin e ri Penal dhe ligjin për referendumin, që pritet të dorëzohet së shpejti në Kuvend.

Para grupit socialist dhe kryeministrit Rama do të raportojë edhe Arbjan Mazniku, bashkëkryetari i reformës territoriale. Puna e deritanishme e komisionit dhe ecuria e procesit në një kohë kur afatet janë të kufizuara dhe komisioni duhet të dalë me një draft brenda muajit korrik, pritet të jenë pjesë e raportimit.

Me rëndësi është edhe raportimi i Drejtoreshës së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobellit para grupit socialist në Pallatin e Kongreseve. Një raportim jo i zakontë për “Kadastrën”, institucion në varësi të Kryeministrit.

Më herët, Kreu i Qeverisë ka paralajmëruar ndryshime në këtë agjenci që nisën me zhvendosjen e Kadastrës së Vlorës drejt kryeqytetit, e që siç paralajmëroi vetë Rama do të vijojë edhe me drejtori të tjera.

Deputetët do të kenë mundësinë e diskutimeve për çdo temë që do të trajtohet, me një pikëpyetje të madhe nëse do të trajtohet edhe përplasja në distancë e Taulant Ballës dhe Elisa Spiropalit. Balla e Spiropali u përfshinë në replika publike për shkak të thyerjes së vendimit politik nga ana e ish-ministres..

Mungesa e ish-ministres Spiropali në parlament kur grupi socialist votoi kundër heqjes së imunitetit të Belinda Ballukut u lexua si thyerje e vendimit politik të mazhorancës. Kryeministri Rama ia kaloi këtë detyrë Taulant Ballës, ndërsa ky i fundit tha se do të konsulohet në grup për masa të mundshme ndaj ish-ministres.

nga kodi penal te referendumi rama ps

Lini një Përgjigje