TAGS-AT E JAVËS

Politike27 Mars 2026, 19:45

Rama 'zbret' në terren, takim me socialistët në Njësinë 2 në Tiranë

Shkruar nga Pamfleti
Rama 'zbret' në terren, takim me socialistët në
Edi Rama dhe Blendi Klosi

Mbrëmjen e sotme kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me strukturat e Partisë Socialiste në Njësinë Nr.2 në kryeqytet.

Në këtë takim ai është i shoqëruar nga Blendi Klosi, i cili në mbledhjen e Asamblesë të zhvilluar më 22 mars, u caktua si një nga drejtuesit politikë të kësaj njësie.

Mësohet se do të bëhet prezantimi i drejtuesve politikë të Njësisë Administrative Nr.2, ku përveç Klosit, janë caktuar edhe Gent Gazheli, ministrja e Ekonomisë dhe e Inovacionit, Delina Ibrahimaj dhe zv.ministrja Olta Manjani.

Ndërkohë kujtojmë se ditën e nesërme, kreu i qeverisë dhe kryesocialisti Rama do të zhvillojë një takim "retreat" me Grupin Parlamentar të PS-së dhe ministrat e tij.

Sipas detajeve të zbuluara, mbledhja e së nesërmes do të hapet në orën 11:00 nga kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ndërsa fjalën do ta marrë kryeministri dhe kryesocialisti Edi Rama, duke vendosur theksin te prioritetet e qeverisë dhe të strukturave politike për periudhën në vijim.

Në fokus të takimit do të jetë analiza e punës së institucioneve kryesore dhe rritja e bashkëpunimit mes deputetëve dhe strukturave ekzekutive. Po ashtu, një rëndësi e veçantë i kushtohet reformës administrativo-territoriale, ku bashkëkryetari për këtë proces, Arbjan Mazniku, do të prezantojë progresin dhe hapat e ardhshëm për riorganizimin e pushtetit vendor.

Në vijim, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, do të paraqesë strategjinë e re të komunikimit, e cila synon të përmirësojë ndërveprimin me publikun dhe transparencën institucionale.

edi rama ps

Lini një Përgjigje