TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Maj 2025, 15:48

Nga kritiku i ’97-ës, te autokrati i 2025-ës: Si po shkon Edi Rama drejt sundimit absolut!

Shkruar nga Fred Abrahams
Nga kritiku i ’97-ës, te autokrati i 2025-ës: Si po shkon Edi
Rama gjatë samitit të BE në Tiranë

Dyfytyrësia europiane në Ballkan: Kur Rama bëhet ‘i dashuri’ i Brukselit, por sundon si autokrat në Tiranë...

Njëzet e tetë vjet më parë, Edi Rama, një artist shqiptar në mërgim në Paris, shkroi një opinion të ashpër në New York Times, duke dënuar mbështetjen e verbër të Europës ndaj liderit autoritar të Shqipërisë në atë kohë, Sali Berisha.

Ndërsa vendi po shkërmoqej pas kolapsit të skemave gjigante piramidale, Rama akuzonte Europën se po zgjidhte stabilitetin afatshkurtër përmes një autokrati, në vend që të investonte në demokraci dhe sundimin e ligjit.

Sot, Shqipëria është rrënuar nga dështimi i europianëve për të parë të vërtetën”, shkruante ai.

Nga kritiku i ’97-ës, te autokrati i 2025-ës: Si po shkon Edi
Opinioni i Ramës për New York Times, 15 mars 1997

Këto fjalë tingëllojnë fort edhe sot – vetëm se tani, Rama është në pushtet, sapo ka siguruar mandatin e katërt radhazi si kryeministër dhe fundjavën që shkoi mirëpriti liderët europianë në Tiranë, në samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Europian (EPC).

Për të qenë të qartë: Shqipëria e vitit 2025 është shumë larg kaosit të vitit 1997, nën drejtimin e atëhershëm të Presidentit Sali Berisha, despoti i cili e çoi vendin në buzë të greminës. Por një element thelbësor i asaj epoke vazhdon të mbijetojë: përqendrimi i pushtetit te një person i vetëm, që dominon jetën politike, shoqërore dhe ekonomike të vendit.

Në pamje të parë, Shqipëria e sotme duket e transformuar. Rama, i pandjeshëm ndaj protokolleve dhe me stil kozmopolit, vesh atlete me kostume, gjunjëzohet mbi tapete të kuq dhe shtrëngon duart me liderët botërorë. Por pas dymbëdhjetë vitesh në pushtet, mjeshtëria e tij qëndron në administrimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, ndërsa mban kontroll të hekurt brenda vendit.

Ky kontroll u forcua më 11 maj, kur Rama dhe Partia e tij Socialiste fituan bindshëm ndaj opozitës së udhëhequr nga Berisha, duke zhvilluar fushatën mbi premtimin për anëtarësim në BE. Samiti i EPC-së shërbeu më pas si një paradë triumfi.

Çdo shtrëngim duarsh me Melonin, Merz dhe Macron në Tiranë, zbehu kritikat e qarta që ngritën vëzhguesit ndërkombëtarë nga OSBE, Këshilli i Europës dhe Parlamenti Europian për zgjedhjet: keqpërdorimi i burimeve publike, presioni ndaj administratës dhe kontrolli i gjerë mbi median.

Përtej zgjedhjeve, çdo përqafim e përgëzim legjitimonte korrupsionin e rrënjosur dhe politikën oligarkike që fshihet nën shkëlqimin e kullave të larta përreth sheshit "Skënderbej", aty ku – sipas faqes zyrtare të EPC-së – “bashkohen historia dhe identiteti modern i Shqipërisë”.

Dinamika politike në Shqipëri ruan të njëjtat karakteristika si këto 35 vitet e fundit: hijeshi jashtë, kontroll brenda. Në skenë shfaqet sundimi i ligjit, demokracia dhe vlerat europiane. Pas kuintave ka gjykatës nën presion, media që blihet dhe tenderë që manipulohen.

Që nga rënia e komunizmit, qeveritë perëndimore kanë treguar pak interes për demokracinë në këtë vend të vogël ballkanik – edhe pse kushtet për demokraci mbushin faqet e kërkesave për anëtarësim në BE. Më shumë rëndësi ka që Shqipëria sillet “siç duhet” në rajon – sidomos në lidhje me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, siç bën Rama. Dhe që u përgjigjet thirrjeve kur nevojitet, si për shembull duke ndihmuar Italinë të anashkalojë ligjin europian përmes zhvendosjes së emigrantëve dhe azilkërkuesve në kampe në Shqipëri.

Ashtu siç paralajmëronte Rama në vitin 1997, udhëheqësit europianë sërish po tregojnë një “dështim për të parë të vërtetën”. Ose ndoshta e shohin qartë, por bëjnë një "vesh shurdh dhe një sy qorr". /Përshtati “Pamfleti” nga “Euractiv”

*Fred Abrahams është autori i librit “Shqipëria Moderne: nga Diktatura në Demokraci”. Ai mbuloi Ballkanin Jugor për Human Rights Watch nga viti 1993 deri në vitin 2000.

Lini një Përgjigje