
Beteja sapo ka filluar. Shprehjen që dikur e përdorte Lulzim Basha pas çdo humbjeve të zgjedhjeve, sot e ka rikthyer Partia e Lirisë, kryetari i së cilës, Ilir Meta, ndodhet në qeli prej disa muajsh, ndërsa nuk arriti të marrë mandatin e deputetit në zgjedhjet e 11 majit.
Përmes një deklarate, PL bën të ditur se nuk pranon rezultatin e zgjedhjeve, të cilin e konsideron të deformuar.
“Procesi zgjedhor i sapopërfunduar në Shqipëri nuk ishte as i lirë, as i ndershëm, dhe as demokratik. Ajo që ndodhi më 11 Maj nuk ishte një festë e demokracisë, por një farsë politike, e orkestruar nga një pushtet që përdori çdo mjet të paligjshëm për të deformuar vullnetin e qytetarëve.
Zgjedhjet u zhvilluan nën trysninë e një makinerie shtetërore që u vu në shërbim të një partie. Administrata publike u përdor si ushtri elektorale.
Paratë e pista u derdhën pa kufi në çdo cep të vendit. Shantazhi, intimidimi dhe blerja e votës , ishin armët që përdori pushteti për të mbuluar dështimin politik dhe moral.
Ne nuk e pranojmë këtë realitet të deformuar. Ne nuk do të heshtim. Kjo nuk është vetëm betejë politike , kjo është një betejë për lirinë e qytetarëve, për të drejtën për të zgjedhur pa presion, për të ndërtuar një të ardhme që nuk varet nga pazaret elektorale apo nga dhuna e shtetit.
Kërkojmë hetim të menjëhershëm dhe të thelluar për çdo rast të dokumentuar të shkeljes së ligjit. Kërkojmë ndëshkimin e çdo zyrtari që ka keqpërdorur detyrën për përfitime politike. Dhe kërkojmë një reformë zgjedhore të thellë, reale, dhe të garantuar nga aktorë të pavarur ndërkombëtarë.
Shqipëria nuk mund të ecë përpara me zgjedhje të manipuluara dhe institucione të kapura. Qytetarët meritojnë më shumë. Dhe ne jemi këtu për t’u dhënë zë atyre që nuk mundën të votojnë të lirë.
Kjo betejë sapo ka filluar”, thuhet në deklaratën e PD.
Lini një Përgjigje