
Ja kush do të na përfaqësojë në Kuvend...
Me përfundimin e numërimit të votave, përfshirë ato të Diasporës, është bërë e qartë përbërja e re e Kuvendit të Shqipërisë për legjislaturën 2025–2029.
Dhe në vend që të flasim për energji të reja, profesionalizëm e integritet, listat na servirin një përzierje të çuditshme: gjyqtarët e pasur si sheikë, militantë groteskë të TikTok-ut, e deri te “princat” e trashëgimisë kriminale. Më poshtë po analizojmë disa prej figurave të “ndritura” të Parlamenti të ri, të cilët do t’i japin shumë lezet kësaj legjislature.
Tom Doshi, i shpallur “non grata” nga SHBA, Britania e Madhe dhe Australia, është rikthyer në Parlament. Jo për vizionin e tij, por si një provë se një pjesë e politikës shqiptare nuk e ka problem as të sfidojë aleatët më të mëdhenj të vendit. Mos harrojmë se PSD është subjekti kryesor i hetuar nga SPAK për blerje votash.
Gjin Gjoni, ish-gjyqtari me pasuri marramendëse, që i shpëtoi me manovra vetingut dhe drejtësisë, ka zbritur tani në politikë për të vijuar aty ku e la – në “shërbim” të vetes.
Sara Mila, kandidatja më e votuar e PS në Elbasan, akuzohet publikisht për lidhje me bandat. Në vend të refuzimit, mori “ok” nga kutia e votimit.
Ornaldo Rakipi, djali i Aqif Rakipit (sanksionuar nga SHBA), nuk tha asnjë fjalë në katër vitet e mëparshme si deputet. E megjithatë, merr sërish vendin në Kuvend. Me meritë? Jo, me mbiemër.
Zegjine Çaushi, u bë “e famshme” duke ironizuar Gazment Bardhin në TikTok. Bëri “viral” video, fitoi dhe vota. Në këtë Parlament, duhet të dish më shumë për algoritmin sesa për Kushtetutën.
Tërmet Peçi, i njohur si "çyryku" i PS-së, është kthyer në ikonë të lavdërimeve patetike për Ramën. Fjalimet e tij janë manual servilizmi. Kjo e futi në Parlament.
Agron Malaj, ish-gardist i 21 janarit, është një emër që ngjall debat. Figura e tij simbolizon një ngjarje të përgjakshme ende të pandriçuar drejtësisht, por sot është pjesë e mazhoracës që dikur protestonte në atë shesh.
Bora Muzhaqi, ministre për Rininë dhe një nga rekordmenet e gafave. Më shumë njihet për deklarata kontradiktore sesa për ndonjë politikë rinore.
Arkend Balla, që sipas akuzave të opozitës ka lidhje me bandat e Durrësit. Edhe pse nuk ka një vendim penal, perceptimi publik e shoqëron si figurë problematike.
Olsi Komici, ish-anëtar i KPK-së, i përmendur në afera me vendime të dyshimta në procesin e Vettingut. Në vend që të japë llogari, shpërblehet me imunitet.
Ceno Klosi, ish-drejtor Tatimesh, i akuzuar për dallavere me tenderë e favorizime, është aktualisht nën hetim nga SPAK. Por kjo nuk e ndaloi të fitojë një karrige deputeti.
Pirro Vnegu, ministër i Mbrojtjes në hije, me pasaportë greke. Greqia e kërkon për të bërë ushtrinë, Shqipëria e çon në Kuvend.
Gent Strazimiri, ish-deputet që u bë simbol i agresivitetit politik kur doli në protestë me pistoletë në brez. Rikthimi i tij vjen pa reflektim, pa pendesë.
Tritan Shehu, është kthyer në përfaqësues përjetë. Që prej viteve ’90 nuk e kemi parë të jetë jashtë Kuvendit, por nuk dihet ende kontributi i tij përveçse rikthimeve rutinë.
Jozefina Topalli, e refuzuar nga qytetarët e Shkodrës dhe me një parti që nuk mori mbështetje, është sjellë si “deputete teknike” në Tiranë nga Berisha. Rikthim i një figure të shpenzuar, në një formë të sforcuar.
Bardh Spahia, i marrë i pandehur nga SPAK, por që gjen sërish rrugën për në Kuvend, në një vend ku akuzat penale duket se nuk janë pengesë por trampolinë.
Sali Berisha, vetë në gjykim për korrupsion, është përsëri udhëheqës i opozitës. Është një përballje e hapur e drejtësisë me politikën – në të njëjtin sallon, por me destinacione të ndryshme.
Fatmir Mediu, në gjykim për Gërdecin, tragjedi që i mori jetën 26 personave. E sot, ky emër është sërish pjesë e ligjvënies.
Me pak fjalë, Kuvendi i ri nuk është thjesht një përfaqësim i votës, por një radiografi e dhimbshme e sistemit tonë. Aty ku duhet të ulen përfaqësues me integritet, do të kemi politikanë të konsumuar, personazhe me dosje, pazarxhinj mandatesh dhe “influencues” të rrjeteve sociale. /Pamfleti
Lini një Përgjigje