Nga Mediu, te Meta, Berisha, Shkëlzeni, Xhaçka apo Beqaj, emrat që presin në ankth fjalën e drejtësisë...
Viti 2023 u cilësua si viti i SPAK, kjo pasi pati zhvillime sa i takon luftës kundër korrupsionit. Edhe pse pati disa raste që prokurorët mund të kishin vepruar ndryshe, zhvillimet nuk munguan dhe ngjarja më e bujshme ishte vendosja në arrest e Sali Berishës.
Por nëse SPAK dhe gjyqësori ecin me këtë ritëm, viti 2024 mund të sjellë zhvillime edhe më të bujshme. Një nga zhvillimet e këtij viti është mbyllja e gjyqit për Fatmir Mediun dhe marrja e një vendimi për të. Ish-ministri i Mbrojtjes akuzohet për shpërdorim detyre kur ndodhi tragjedia e Gërdecit. Ai arriti ta shtyjë gjyqin afro një vit, por me shumë gjasë vendimi për të do jetë në gjysmën e këtij viti. Dëshmitarët janë drejt fundit dhe më pas priten konkluzionet. Një nga dëshmitë që pritet me interes, është ajo e gjeneralit Luan Hoxha. Ai ndodhet në SHBA dhe është ndër ata që ka përmendur emrin e Shkëlzen Berishës.
Por duke qëndruar te Gërdeci, pritet të shihet nëse SPAK do të ketë zhvillime mbi një dosje tjetër që po heton, atë të pastrimit të parave. SPAK e ndau dosjen në dy fraksione duke dërguar Mediun në gjyq dhe duke hetuar për afera me trafikun e fishekëve. Shumë personazhe kanë akuzuar djalin e Berishës si të përfshirë dhe mbetet të shihet nëse SPAK do i vërë kapak kësaj çështje këtë vit.
Padyshim pritet që gjatë këtij vit të mbyllen hetimet për Sali Berishën dhe dosja të shkojë në gjykatë. SPAK ka 3 vite që e heton aferën me kompleksin “Partizani” dhe pjesa më e madhe e fakteve janë mbledhur. Kjo do të thotë se Berisha dhe dhëndri i tij mund të merren të pandehur dhe të dërgohen në gjykatë, ku dhe do të pritet vendimi final nëse do dënohen apo jo.
Një emër tjetër që është në fije të perit është Ilir Meta. Ndaj tij janë hapur disa dosje dhe SPAK për disa prej tyre është drejt fundit. Bëhet fjalë për aferën CEZ-DIA dhe atë të lobimeve në SHBA. Me shumë mundësi këtë vit do të kemi zhvillime sa i takon Metës, ku nuk përjashtohet mundësia e arrestimit të tij.
Emër tjetër që pritet të fundoset është Ilir Beqaj. SPAK ka hapur dosje të reja kundër tij dhe po ashtu e ka marrë të pandehur duke e vendosur në masë sigurie. Dosja e Sterilizimit me gjasë shkon për gjykim shumë shpejt, teksa duket se Beqaj do ketë telashe me fondet e BE dhe nuk përjashtohet arrestimi.
Po ashtu pritet që SPAK të vendosë për aferat me pronat në ushtri. Edhe kjo dosje po hetohet me intensitet dhe emri më i rëndësishëm në dosje është ish-ministrja Olta Xhaçka, e cila është marrë disa herë në pyetje.
Pra SPAK dhe GJKKO kanë në duar dosje me shumë rëndësi, dosje që me gjasë këtë vit mund të shkundin politikën. /Pamfleti
Lini një Përgjigje