Mijëra qytetarë që protestojnë në ditën e 11-të në Tiranë duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës, pas më shumë se 3 orësh proteste në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kanë nisur marshimin në rrugët e kryeqytetit shqiptar.
Nën thirrjet “Rama jepe dorëheqjen”, “Edi Rama ka maru”, “Rama në burg, Berisha në burg”, protestuesit e cilësuan protestën si uraganin e rinisë dhe lirisë.
“Është fuqia e popullit kundër politikës së vjetër, braktisni klasën e vjetër politike”, ishte mesazhi që iu drejtua protestuesve, ndërsa ovacionet që pasuan ishin “Rama në burg, Berisha në burg”.
Protestës në ditën e 11 i janë bashkuar shqiptarë nga Diaspora, por jo vetëm. Mesazhe ka pasur edhe nga shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, të cilët u janë referuar vendimeve të Lidhjes së Prizrenit.
Ajo që bie në sy gjatë këtyre ditëve është fakti se protesta ka tejkaluar prej kohësh kauzën që e ndezi fillimisht. Në rrugët e Tiranës nuk dëgjohen vetëm thirrje kundër qeverisë, por edhe kundër klasës politike në tërësi, duke reflektuar një pakënaqësi më të gjerë që shkon përtej një çështjeje të vetme.

Për shumë prej pjesëmarrësve, protesta është shndërruar në një reagim ndaj korrupsionit, keqqeverisjes, largimit të të rinjve nga vendi, mungesës së besimit te institucionet dhe tranzicionit të zgjatur politik që ka dominuar Shqipërinë për më shumë se tre dekada.
Mediat ndërkombëtare kanë transmetuar “live” protestën në Tiranë, që në ditën e 11-të, konsiderohet ndër më të mëdhatë që është organizuar në kryeqytetin shqiptar në të paktën 20 vitet e fundit. E veçanta e protestave qytetare është se ato janë krejtësisht paqësore dhe nuk është regjistruar asnjë incident, çka duket se ka mbajtur larg edhe forcat e sigurisë, që gjithësesi e monitorojnë nga larg situatën.
Lini një Përgjigje