
Kuvendi ka nisur me debate ndërsa është miratuar ndryshimi për rendin e ditës në Kuvend pasi është futur në rend dite projektligji për Akademinë e Shkencave.
Nikolla tha se ndryshimi i rendit të ditës u bë me 69 vota pro.
Ndërkohë ish-kryeministri Berisha ka shpalosur një banderole në Kuvend ku shkruhet ‘mafia e plehrave’.
"Sot mbyllet Parlamenti për faqe të zezë për shkak të tij. Sepse ka një mocion dhe një interpelancë për arratisjen nga vendi të numrit 2 të qeverisjes, kurse ju ngriheni kundër Kushtetutës, doni të rrëzoni këtë të drejtë me vota këtu dhe ai nuk paraqitet në Kuvend. Kush do flasë këtu për zv/Kryeministrin? Do flisni ju? Jo ju nuk keni tagër. Të vijë këtu në Parlament.", u shpreh Berisha.
Në rendin e ditës sotme janë parashikuar për diskutim dhe votim disa projektligje. Ndër më të rëndësishmet janë projektligji për studentët e Mjekësisë dhe kanabisi për qëllime mjekësore.
Sipas projektligjit, studentët e Mjekësisë pas përfundimit të studimeve do të duhet të punojnë në vend për 5 vite në mënyrë që të marrin diplomën. Sipas qeverisë, kjo bëhet për të frenuar largimin nga Shqipëria të mjekëve të rinj. Një pjesë e studentëve e kundërshtojnë këtë nismë.
Edhe opozita e kundërshton si projektligjin për Mjekësinë, ashtu dhe atë për kanabisin mjekësor.
Lini një Përgjigje