Siç edhe e paralajmëruan, studentët e mjekësisë kanë nisur protestën e tyre para Parlamentit, ndërsa kundërshtojnë nismën e qeverisë për ligjin që i detyron ata që të punojnë deri në 5 vite në vend dhe më pas do të diplomohen.
Me megafon, studentët kanë bërë thirrje në kor, përmes disa vargjeve kundër qeverisë.
“Parlamentit i bëjmë thirrje; ne studentët duam zgjidhje, nuk pranojmë në internim
Koston e mban veç prindi im
Mos u dehni nga marria,
lini të vendosë drejtësia!
Nuk kam borxhe për të larë,
s’jam i ulët e as tradhtar
Nuk do të ngrihem për të ikur,
por për shpresën që na keni fikur!”, thuhet në vargjet që përsëritën disa herë në kor studentët e mjekësisë.
Një prej zërave të protestës, paralajmëroi po ashtu bojkot të vitit akademik nëse qeveria nuk tërhiqet nga ky projektligj.
“Kemi nja një muaj që protestojmë, por kjo nuk do të thotë se do të ndalemi sot. Jua kemi thënë dhe në komision, edhe në intervista, edhe në protesta, edhe në statuse, edhe në forumin e mjekëve që ne do e çojmë në Gjykatë Kushtetuese çështjen. Jua kemi thënë dhe këtë tjetrën, po ato firma, ku të dorëzohet që këta studentë do të bojkotojnë vitin akademik. Anuloni ligjin, zero kompromis!Ne parlamentin kryesor e kemi këtu! . Parlamenti i Shqipërisë është gjobëvënie.”, tha një prej studenteve që proteston.
Studentët kanë firmosur një peticion nga të gjitha grupet e interesit dhe kërkojnë anulimin e projektligjit. Ata paralajmëruan se do ta çojnë ligjin në çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
Qeveria ka ndërmarrë një nismë ligjore që studentët aplikantë në Mjekësi, por dhe ata që janë në vijim të studimeve u ofrohet mundësia të firmosë një marrëveshje në bazë të së cilës ata duhet të punojnë në spitalet shqiptare për një periudhë 2 – 5 vjeçare pas diplomimit. Nëse ata pranojnë ta firmosin marrëveshjen do të përjashtohen nga tarifat e shkollimit gjatë gjithë studimit gjithashtu do të kenë dhe disa përfitime të tjera sociale.
Dje gjithashtu u publikua një video ku dëgjohej ministrja Evis Kushi e cila ka thënë se “në qoftë se thoni se e meritoni ne marrim vendime dhe nuk ju pyesim fare”.
Videoja është bërë gjatë konsultimeve që ministria pretendon se ka bërë me studentët pikërisht për këtë çështje.Në video shihet ministrja e Arsimit me disa përfaqësues të tjerë, ndërsa përballë ka një grup studentësh.
Në momentin që ministrja ka deklaruar se “ne marrim vendim dhe nuk ju pyesim fare” kanë reaguar edhe studentët e pranishëm në këtë takim. Në video dëgjohet një prej studentëve që thotë “ju e keni praktikë që nuk pyesni”.
Lini një Përgjigje