
Vetëm pak orë pas daljes nga burgu, Ervin Salianji, ish-deputet i Partisë Demokratike, është paraqitur në selinë blu, ku zhvilloi një konferencë për shtyp duke dhënë deklaratën e parë publike.
Ai e konsideroi burgosjen e tij si hakmarrje politike dhe akuzoi Gjykatën e Lartë për falsifikim të shortit të trupës gjykuese që shqyrtoi rekursin e tij.
“Padiskutim që do të jem aktiv politikisht. Edhe nga burgu, me aq sa kisha mundësi, kam shkruar dhe reaguar. Por ka një pengesë që vjen me urdhër politik: moszbardhja e vendimit të Gjykatës së Lartë. Në këndvështrimin tim, kjo gjykatë ka bërë falsifikim të shortit për trupën që më gjykoi. I jam drejtuar SPAK-ut për hetim të këtij rasti; pse u largua trupa e përzgjedhur dhe u zëvendësua me gjyqtarë ‘miq’?”, deklaroi Salianji.
Ai theksoi se mezi pret përballjen në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg për të provuar se është viktimë e një vendimi të padrejtë: “Le të shohim kush kishte të drejtë – unë apo qeveria”.
Salianji u dënua me burg për çështjen “Babale”, por ka insistuar vazhdimisht se është i pafajshëm dhe se rasti i tij është përdorur si mjet presioni politik ndaj opozitës. Me rikthimin e tij në selinë e PD-së, duket se po përgatitet për të rihyrë fuqishëm në skenën politike.
Pamfleti.net do të ndjekë në vijim hapat ligjorë dhe politikë të Salianjit pas këtij kthimi në qendër të vëmendjes.
Lini një Përgjigje