
Diplomatja amerikane ditën e sotme po vijon takimet me përfaqësuesit e partive politike.
Pas takimit me Damian Gjiknurin në selinë e Partisë Socialiste, Yuri Kim pritet të takohet edhe me Enkelejd Alibeajn në orën 11:30.
Takimi mes Yuri Kim dhe Enkelejd Alibeaj do jetë në zyrën e këtij të fundit në Kryesinë e Kuvendit.
Më pas ajo do të takohet me kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Këto takime vijnë pak kohë para se partitë politike të futen në fushatë elektorale për zgjedhjet e 14 Majit dhe në një kohë kur KQZ po shqyrton kërkesat e partive për t’u regjistruar në zgjedhje.
Ditën e sotme në orën 11:00 në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nis shqyrtimi i kërkesave të forcave politike për regjistrim në zgjedhjet lokale të 14 Majit.
Mësohet se kërkesat e PD dhe PS do të shqyrtohet në ditët në vijim dhe çështja më komplekse aktualisht është tek selia blu e cila vazhdon të jetë e ndarë në dy grupime.
PD në KQZ ka dorëzuar dy kërkesa për regjistrim, një kërkesë që mban firmën e Sali Berishës dhe një tjetër që mban firmën e kryetarit të komanduar nga Lulzim Basha, Enkelejd Alibeaj.
Ju rikujtojmë se kërkesa e dërguar nga Enkelejd Alibeaj është me logon dhe vulën që njihet ligjërisht nga institucionet.
Tani “topi është në fushën” e KQZ që të marrë vendim se cilën palë do të regjistrojë në zgjedhjet e 14 Majit.
Lini një Përgjigje