
Unë do zbatoj statutin e PD, Kryesia merr vendimet e veta, por si sekretar i përgjithshëm unë zbatoj vendimet e partisë dhe statutin e PD, askush nuk më imponohet...
Partia Demokratike duket se ka hyrë në kaos total. Përjashtimi i Sali Berishës dhe dorëheqja më pas e Bashës e ndau PD në dy kampe, mirëpo duket se tani janë 3 palë në PD. Në njërin krah është grupi i Berishës, në njëri krah grupi i Bashës dhe një grup që nuk është as me Bashën dhe as me Berishën.
Kryesia e PD vendosi dje që të mbahen zgjedhje për kryetarin e PD më 29 korrik. Vendimi u mor mes shumë debateve, ndërkohë që Jorida Tabaku, Gazment Bardhi dhe shumë të tjerë kërkonin që zgjedhjet të nisnin në bazë. Por duket se konflikti nuk do të mbetet me kaq, pasi Gazment Bardhi, ka paralajmëruar se nuk do të firmosë për hapjen e zgjedhjeve. Ai është Sekretari i Përgjithshëm i PD dhe i takon atij të bëjë organizmin e zgjedhjeve, në kushtet kur PD nuk ka as kryetar dhe as nënkryetar. Mirëpo Bardhi ka thënë në një emision se nuk do e bëjë këtë, duke dhënë sinjale se do të ketë sërish përplasje.
“Unë do zbatoj statutin e PD, Kryesia merr vendimet e veta, por si sekretar i përgjithshëm unë zbatoj vendimet e partisë dhe statutin e PD, askush as nuk më imponohet dhe as nuk më kthen dot në lolo të interesave të ngushta. Ajo që unë them është se Sekretari i Përgjithshëm do të respektojë statutin. Dje ka ndodhur mbledhja, po zbardhet vendimi, nuk jam njohur me një vendim të zbardhur dhe nuk kam qenë prezent kur është votuar, sapo të njihem, do të ndërmarr të gjitha hapat”, tha ai.
Më tej, Bardhi ka deklaruar se shkelet statuti. Sipas tij, ngërçi i parë qëndron në faktin se anëtarësinë me të drejtë vote për kryetarin e partisë e cakton një grup pune i ngritur nga kreu i degës. Ai argumenton se aktualisht në 71 degë që ka PD në mbarë vendin, vetëm 29 prej tyre kanë kryetarë të zgjedhur, teksa të tjerat vetëm pika kontakti.
Pika e dytë në shkelje të statutit për Bardhin është edhe Komisioni Zgjedhor që do të organizojë procesin, pasi pjesa më e madhe e tij përmban emra që kanë kaluar në anën e Berishës. Për të ndryshuar komisionin, sipas Sekretarit të Përgjithshëm, duhet të mblidhet Këshilli Kombëtar, të cilin në fakt e thërret kryetari i partisë.
“Organizimi i një procesi zgjedhor për kryetarin e partisë, në procedurën që është miratuar nga Kryesia e Partisë, bie ndesh me statutin e Partisë Demokratike. Nëse do të ishte e mundur nga pikëpamja statutore nuk kam asnjë kundërshtim. Por që unë të organizoj një proces jo transparent dhe që çon në ndarje tjetër të partisë, nuk ka për të qenë qëndrimi i sekretarit të përgjithshëm të PD”, tha ai.
Pra duket sikur ka një thyerje mes Bashës dhe Bardhit. Rihapja e garës është tregues i qartë se Basha kërkon rikthimin dhe Bardhi i ka dalë kundër.