
Ditën e mërkurë në 10:00 do të mbahet seanca e radhës plenare në Parlamentin e Shqipërisë.
Ndërsa është bërë publik edhe rendi i ditës, ku parashikohet që të votohen edhe emrat e drejtuese dhe nënkryetarëve të komisioneve parlamentare.
PD edhe pse i ka caktuar 4 drejtuesit e komisioneve parlamentare dhe 7 nënkryetarët, nuk i ka dorëzuar ende zyrtarisht në Kuvend, pasi kërkon shkarkimin e kryeparlamentarit Niko Peleshi.
"Ju njoftojmë se seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë do të zhvillohet ditën e mërkurë, datë 24 shtator, ora 10:00. (Urdhër nr. 9, datë 22.9.2025, i Kryetarit të Kuvendit, z. Niko Peleshi)."-thuhet në njoftim.
Kjo seancë pritet me interes të lartë, pas zhvillimeve të fundit politike dhe debateve të ashpra në sallën e Kuvendit.
Seanca e datës 18 shtator, zgjati shumë pak dhe doli jashtë parashikimeve me përplasje të forta mes palëve, ku kryeministri Edi Rama nuk arriti ta përfundonte fjalën e tij mbi programin qeverisës, ndërsa ky i fundit u miratua mes zhurmës me 82 vota pro. Fjala e ministres virtuale ndezi debatet, pasi opozita e konsideroi tallje. Ndërkohë, Rama njoftoi se brenda këtij viti, Diella, do të jetë fizikisht e pranishme në tryezën e qeverisë.
Tensionet ishin të tilla saqë pati deputetë të Partisë Demokratike që gjuajtën në drejtim të kryeministrit Edi Rama me librin e Kushtetutës.
Lini një Përgjigje