TAGS-AT E JAVËS

Politike23 Korrik 2026, 16:07

PS shtyn mbylljen e sesionit parlamentar, Rama nesër ‘tërmet’ në qeveri!

Shkruar nga Pamfleti
PS shtyn mbylljen e sesionit parlamentar, Rama nesër
Edi Rama

Një javë më shumë për Kuvendin, PS përgatit terrenin për ndryshimet në kabinet

Një ditë përpara mbledhjes së zgjeruar të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku kryeministri Edi Rama do të mbledhë deputetët dhe ministrat në Pallatin e Brigadave, mazhoranca ka vendosur të shtyjë mbylljen e sesionit parlamentar.

Në vend që seanca e fundit të zhvillohej sot, Kuvendi do të mblidhet sërish më 30 korrik, një lëvizje që sipas burimeve lidhet me ndryshimet e pritshme në kabinetin qeveritar.

Vendimi u miratua gjatë seancës së sotme plenare, ku deputetët votuan që seanca e radhës të zhvillohet më 30 korrik. Zyrtarisht, caktimi i kësaj date erdhi pasi në Konferencën e Kryetarëve nuk u arrit dakordësi për kalendarin dhe rendin e ditës, duke bërë që çështja t'i kalonte për vendimmarrje vetë Kuvendit.

Megjithatë, sipas burimeve, arsyeja reale e shtyrjes së mbylljes së sesionit parlamentar lidhet me zhvillimet që priten nesër. Sipas burimeve, në mbledhjen që do të mbahet te Pallati i Brigadave, Edi Rama do të largojë pjesën më të madhe të ministrave. Dhe sipas burimeve, mazhoranca i ka lënë kohë Presidentit të Republikës të dekretojë ministrat e rinj, me qëllim votimin e tyre në seancën e 30 korrikut.

Në favor të këtij skenari flet edhe rendi i ditës i seancës së ardhshme. Aktualisht, në axhendë janë vetëm dy projektligje, ai "Për Arkivat" dhe projektligji "Për të Drejtën e Autorit", çështje që nuk konsiderohen me peshë politike dhe që, sipas burimeve, nuk do të ishin të mjaftueshme për të justifikuar shtyrjen e mbylljes së sesionit me një javë.

Vëmendja tashmë është përqendruar te mbledhja e së premtes në Pallatin e Brigadave, ku Edi Rama pritet të analizojë punën e qeverisë, ministrave dhe deputetëve socialistë.

Megjithëse në axhendën zyrtare nuk parashikohen ndryshime në kabinet, në korridoret e mazhorancës prej ditësh flitet për një riformatim të qeverisë, ndërsa vendimi për shtyrjen e seancës plenare shihet si hapi procedural për finalizimin e këtyre lëvizjeve. /Pamfleti

 

rama ministrat

1 Komente

  1. A
    Adriatik

    Hipokrizi si gjithemon ... Ndrysho qeverine por po nuk ndryshove MODELIN qeverises qe vet ke krijuar dhe qe ka deshtuar ,E KE KOT ...

    Lini një Përgjigje