
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, shprehu ngushëllime për ndarjen nga jeta të regjisorit të kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti. Begaj e cilësoi atë një yll të plejadës së artistëve shqiptarë që u shua përgjithmonë.
“Plejadës së artistëve të mëdhenj shqiptarë iu shkëput sot një tjetër yll. Lamtumirë, Dhimitër Anagnosti! Shqiptarët do të vazhdojnë të magjepsen nga arti yt i madh”, u shpreh Presidenti Begaj.
Kryeministri Edi Rama gjithashtu reagoi me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”. Ai e cilëson Anagnostin babanë e kinemasë shqiptare dhe mjeshtër i shumërespektuar nga të gjithë.
“Babai i kinemasë shqiptare, autori i shumë skenarëve që shenjuan rrugën e kinematografisë sonë të re në një kohë tejet të vështirë për ëndrrat krijuese, regjizori i plot filmave të arrirë dhe i filmit kult “Lulëkuqe mbi mure” që ka mbetur sot e gjithë ditën si kryetitulli i ekranit të historisë së filmit shqiptar, mjeshtri i shumërespektuar nga i madh e i vogël dhe vunjotësi kryeneç që mezi e priste verën për t’u arratisur nga qyteti e shkuar poshtë, tek shtëpia e fëmijërisë në Vlorë, e më vonë tek kasollja e tij buzë detit në Jalë, Barba Taqo siç e njoha unë kur isha fare i vogël e ai ende shumë i ri apo Dhimitër Anagnosti, siç e njohin të gjithë dashamirët e filmit dhe tërë ata që e deshën a jo, ndërroi jetë pasi jetoi gjithnjë me kokën lart. Lamtumirë Barba Taqo, u prehsh në paqe Grand Master”, shkruan Rama.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Dhimitër Anagnosti, duke e cilësuar atë si një nga korifejtë më të mëdhenj të artit dhe kulturës kombëtare.
"Në panteonin e kulturës kombëtare dhe artit të kinemasë shqiptare, Artisti i Popullit, Dhimitër Anagnosti, do të mbetet përjetësisht i nderuar mes korifejve më të mëdhenj. Kineast dhe regjisor i shquar, skenarist e mendimtar, ai na la trashëgim një vepër të ndritur, që do të vazhdojë të frymëzojë gjeneratat e ardhshme, duke u bërë metaforë emblematike e historisë së kinematografisë shqiptare dhe model frymëzues i një brezi krijuesish idealistë e patriotë.
Filmat e Anagnostit, edhe pse të krijuar në një kohë të caktuar historike, falë vizionit e talentit të tij të jashtëzakonshëm, mbeten vepra universale që përcjellin mesazhe të përjetshme dhe gjithmonë aktuale. Me pikëllim të thellë u shpreh familjes dhe komunitetit të artistëve ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të këtij personaliteti të rrallë të artit dhe kulturës sonë kombëtare, i cili i dha emër e dinjitet kinemasë shqiptare dhe lartësoi identitetin tonë kulturor. Trashëgimia e tij e vyer do të mbetet një monument i pavdekshëm në kujtesën e kombit. Të prehet në paqe! I paharruar kujtimi!", shkruan Meta.
Lini një Përgjigje