TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Shtator 2024, 16:07

Presion apo pazar? Si Rama po i dërgon mesazhe Metës se mund t’i rihapë dosjen e Sigurimit para zgjedhjeve

Shkruar nga Pamfleti
Presion apo pazar? Si Rama po i dërgon mesazhe Metës se mund t’i
Koha kur lulëzonte aleanca Rama-Meta

PS ka nxjerrë nga sirtari ligjet anti-Meta...

Teksa zgjedhjet e vitit 2025 po afrojnë, duket se Edi Rama, ka filluar t’i dërgojë mesazhe të fshehta Ilir Metës. Ky i fundit ka rënë në qetësi javët e fundit, pasi ka nisur një tur turistik me Bes Kallakun, duke dashur të heqë mendjen nga dosjet që po kopsit SPAK. PL në këto zgjedhje pritet të shënojë kapitullimin, por Meta do të tentojë të kapë ç’të mundet.

Megjithatë një lëvizje e çuditshme është parë në Kuvend. Këtë javë që po lëmë pas nisi sesioni ri Parlamentar dhe u miratua kalendari i punimeve për periudhën 2 shtator-20 shtator. Ajo që bie në sy është se PS ka nxjerrë nga sirtari ligjet anti-Meta. Thuajse të gjithë e mbajnë mend se si PS 2 vite më parë, u angazhua të hapte dosjet e Sigurimit, bashkë me grupin e Enkelejd Alibeajt. Qëllimi ishte që të goditej Ilir Meta, i cili doli që kishte qenë bashkëpunëtor i shërbimit sekret të regjimit komunist. Por jo vetëm që dosjet nuk u hapën, por dhe dosja e Metës u fut nëpër sirtarë. Në atë kohë, në Kuvend shkuan dhe disa propozime për të ndërhyrë në ligjin e dekriminalizimit dhe atë për partitë politike, për të mos lejuar futjen në Parlament të spiunëve dhe madje të mos lejoheshin të drejtonin dhe parti.

Presion apo pazar? Si Rama po i dërgon mesazhe Metës se mund t’i

Pas gati 2 vitesh, këto ligje janë nxjerrë nga sirtari. Kuvendi i ka futur në kalendarin e punimeve dhe sipas dokumentit, ato do të shqyrtohen në seancën e 19 shtatorit. Nuk dihet nëse kemi të bëjmë me një aspekt formal, apo Rama po i dërgon mesazhe të fshehta Metës. Është folur shpesh për bashkëpunim underground mes tyre. Mos vallë Rama po luan me dy porta? Mos vallë nga njëra anë flirton me Berishën dhe nga ana tjetër i dërgon mesazhe Metës? Apo është një lloj presioni? Mbetet të shihet nëse vërtet do të kalojnë këto ligje.

Përmbajtja e drafteve

Projektligj “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i njohur ndryshe si ligji i dekriminalizimit, parashikon ndalimin e spiunëve të Sigurimit të futen në politikë. Ata nuk mund të jenë deputetë, ministra apo kryetarë bashkie.

Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat të cilët, në periudhën e përcaktuar në pikën 1 të nenit 1, figurojnë si: anëtar ose kandidat të Byrosë Politike; anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë; anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor...; anëtarë dhe bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit në kuptimin e ligjit nr. 45/2015 ‘Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë’”, thekson ligji.

Ndërkohë ligji për partitë politike është akoma dhe më i ashpër. Ai ndalon bashkëpunëtorët e Sigurimit që të drejtojnë parti. “Nëpërmjet kësaj nisme, propozohet që të ndalohen personat me të shkuar me ish-sigurimin e Shtetit që të zgjidhen kryetar në parti politike dhe nëse janë zgjedhur të shkarkohen. Qenia e kryetarit të partisë politike, në kushtet ndaluese ligjore, parashikohet në projektligj si një nga rastet e ndalimit të regjistrimit të një partie. Projektligji parashikon që verifikimi të kryhet përpara regjistrimit, ku organet themeluese i kërkojnë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve verifikimin nëse kryetari i zgjedhur i partisë pëfshihet në ndalimet e parashikuara nga ligji nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar”. Vërtetimi negativ i lëshuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është pjesë e dokumenteve për regjistrimin e partisë”, thuhet në relacion.

Ndërsa në nenin 3 të projektligjit thuhet: “Në rastet kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vërteton se kryetari i një partie politike ndodhet në kushtet e ndalimit sipas ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar” i kërkon partisë politike shkarkimin e kryetarit dhe zgjedhjen e një kryetari të ri brenda 2 muajve nga konstatimi. Në rast se me kalimin e afatit dy mujor, partia politike nuk ka zbatuar procedurat statutore për zëvendësimin e kryetarit, ose, sipas rastit, nuk ka zgjedhur kryetarin e ri, atëherë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendos ndalimin e menjëhershëm të veprimtarisë së partisë politike, në përputhje me shkronjën “d” të nenit 26 të këtij ligji”. /Pamfleti

Lini një Përgjigje