TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Qershor 2026, 09:40

Protestat ndezin luftën brenda socialistëve: e majta po ngrihet kundër liderit të saj

Shkruar nga Pamfleti
Protestat ndezin luftën brenda socialistëve: e majta po ngrihet
Edi Rama /

Nga Lea Ypi te Fatos Tarifa e Elisa Spiropali, gjithnjë e më shumë zëra pranë së majtës po sinjalizojnë se beteja për largimin e Edi Ramës nuk po zhvillohet vetëm në opozitë, por edhe brenda vetë kampit socialist...

Me kalimin e ditëve të protestave qytetare, po bëhet gjithnjë e më e qartë loja dhe aktorët që qëndrojnë në prapaskenën e këtij teatri të madh politik.

Më shumë sesa iranianët apo faktorët që vijnë nga opozita e djathtë, në realitet duket se ka shpërthyer një luftë e brendshme brenda së majtës shqiptare.

Një përplasje që dita-ditës nxjerr nga një sinjal të ri dhe ndez një xixë të re.

Nuk ka më shumë dyshime se lobe të rëndësishme brenda Partisë Socialiste ndodhen në një përballje fatale me njëri-tjetrin.

Por kjo nuk është thjesht një luftë klanesh, një konflikt tribal apo një rivalitet mes grupimeve provinciale.

Ajo duket si një zhvillim i strukturuar, i mbështetur nga qarqe të rëndësishme të së majtës europiane dhe ndërkombëtare.

Njerëzit që identifikohen me lobin e Erion Veliajt duket se kanë zbritur tashmë hapur në shesh për të kërkuar largimin e Edi Ramës.

Ndërkohë, figura që prej kohësh projektohet si një prej emrave të mundshëm të së ardhmes së së majtës shqiptare, profesorja e filozofisë në London School of Economics, Lea Ypi, ka publikuar një editorial të bujshëm në gazetën britanike The Guardian.

Në artikullin e saj, Ypi shkruan se protestat kundër projektit të Jared Kushner në Shqipëri mund të shndërrohen në një “dritë shprese për Europën dhe më gjerë”.

Ajo thekson:

“Është një shembull frymëzues i aktivizmit qytetar që nuk e kisha parë që nga rënia e komunizmit. Dukshmëria ndërkombëtare e kësaj lëvizjeje është ndihmuar nga vëmendja mediatike ndaj familjes Trump.

Por pse tani? Opozita është përpjekur prej vitesh të mobilizojë publikun kundër korrupsionit dhe ka dështuar. Janë ndezur zjarre në Parlament dhe janë hedhur kokteje molotovi ndaj institucioneve shtetërore.

Por në rastin Kushner, opozita dhe qeveria janë në një mendje.

Ndoshta kjo është arsyeja pse mijëra të rinj kanë dalë në rrugë: sepse kanë ndjerë se mosbindja e tyre nuk mund të kapet dhe instrumentalizohet.

Është prekëse t’i shohësh duke kënduar, kërcyer dhe pastruar.”

Ndërkohë, një tjetër figurë e njohur e së majtës shqiptare, ish-diplomati dhe profesori universitar Fatos Tarifa, ka shkuar edhe më tej.

Në një shkrim të botuar në gazetën Dita, ai kërkon hapur që socialistët të largojnë Edi Ramën.

Tarifa është njohur prej kohësh si një nga mbështetësit publikë të Erion Veliajt, për të cilin ka deklaruar disa herë se është figura që solli ndryshimin në Tiranë.

Nga ana tjetër, edhe Elisa Spiropali, përmes një pamfleti të publikuar pak ditë më parë, kërkoi ndryshimin e pushtetit në vetë thelbin e tij.

Nuk është rastësi që Edi Rama prej ditësh flet për “të mitë” brenda protestës.

Sepse, siç duket, ai e di mirë se një pjesë e rëndësishme e kësaj lëvizjeje jo vetëm mbështetet nga segmente të së majtës shqiptare, por gëzon simpati edhe në qarqe të rëndësishme të së majtës europiane.

E cila, sipas të gjitha gjasave, e sheh Edi Ramën si një version ballkanik të Viktor Orbanit dhe kërkon të gjejë “Magyarin shqiptar” që do ta përmbysë.

Protestat e vrullshme e kanë destabilizuar Edi Ramën jo aq për atë që ka ndodhur deri tani, sesa për atë që mund të ndodhë më pas.

Sepse kryeministri duket se ka kuptuar se përballë tij po formësohet një plan më i madh dhe më i detajuar për largimin e tij nga pushteti.

Madje, sipas shumë sinjaleve, po përgatitet edhe faza pas Ramës.

Kryeministri po përplaset vazhdimisht me gjermanët, të cilëve u kujton historinë e nazizmit për t’i vënë në siklet.

Po ashtu sulmon figura mediatike dhe intelektuale pranë së majtës europiane, duke u kujtuar se kanë përfituar nga pushteti i tij.

Por realiteti duket se ka kaluar përtej vitit 2003, kur Partia Socialiste u nda dhe lindi LSI-ja.

Sot duket se kemi të bëjmë me një plan që synon përmbysjen e Edi Ramës nga vetë e majta shqiptare.

Në ceremonitë e 35-vjetorit të Partisë Socialiste, të cilat Rama po përpiqet t’i përdorë si demonstrim kohezioni, po shfaqen gjithnjë e më shumë episode pakënaqësie dhe kundërshtimi që po mbahen larg syve të publikut.

Por që pritet të shpërthejnë së shpejti.

Jo spontanisht.

Por sipas një skenari të menduar me kujdes.

Një skenar që, sipas të gjitha gjasave, Edi Rama ende nuk e ka zbuluar plotësisht.

Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse ai duket gjithnjë e më i destabilizuar, duke tentuar ta banalizojë debatin përmes spektaklit dhe rolit të kllounit politik.

Në fund, duket se “lufta hibride” për të cilën ai flet çdo ditë, është në fakt një luftë reale dhe konvencionale brenda vetë Partisë Socialiste.

Një betejë që mund të mos e fitojë.

Jo sepse ka më pak ushtarë.

Por sepse ende nuk e di se çfarë surprize i kanë përgatitur kundërshtarët e tij.

Dhe siç sugjeron edhe Lea Ypi në The Guardian, protesta kundër projektit të familjes Trump në Shqipëri po shihet tashmë si një sinjal i ndritshëm për një pjesë të rëndësishme të së majtës europiane./Pamfleti

protestat lufta brenda ps e majta lideri

Lini një Përgjigje