
Kryeministri Edi Rama nxitoi që ditën e parë t’i lidhë protestat me emrin e Presidentit amerikan dhe familjes së tij, madje duke shërbyer kështu si katalizator për të vënë në lëvizje të gjithë kundërshtarët e Donald Trump nga Europa deri në SHBA...
Protestat në Shqipëri kanë hyrë në ditën e 10-të, ndërsa mijëra qytetarë në Tiranë dhe qytetet kryesore të vendit, kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës si Kryeministër i vendit. “Dorëhiqu” është një kërkesë e panegociueshme që po i drejtohet Edi Ramës, ndërsa ky i fundit ka zgjedhur t’i interpretojë protestat jo kundër tij, por kundër Presidentit Donald Trump, meqë dhëndri i tij Jared Kushner, është përfshirë në projektet për ndërtimin e resorteve turistike në Zvërnec dhe ishullin e Sazanit.
Kryeministri Edi Rama nxitoi që ditën e parë t’i lidhë protestat me emrin e Presidentit amerikan dhe familjes së tij, madje duke shërbyer kështu si katalizator për të vënë në lëvizje të gjithë kundërshtarët e Donald Trump nga Europa deri në SHBA.
Linja që hodhi Rama si një mënyrë për të ulur presionin, që në fakt i ka ardhur në rritje, është e njëjtë me atë që ndoqën në ditët në vijim të gjithë ata që konsiderohen si kundërshtarë të Presidentit Trump në pothuajse të gjithë Botën. Pra Rama deri diku ka injektuar në të gjitha rrjetet se pakënaqësia që mbush sheshet nuk ka lidhje me të apo qeverisjen e tij, por me Donald Trump dhe familjen e tij.
Kritikët e Trump në Europë kanë nxituar t’i bëjnë jehonë protestave duke i lidhur ato me pakënaqësitë mbi emrin e Jared Kushner, edhe pse nga ana e protestuesve renditet me dhjetra arsye që detyruan të rinjtë dhe të rejat, por edhe shtresën e mesme, që të dalin në rrugë dhe të protestojnë. Dhe në fakt pjesa dërrmuese e protestuesve nuk e ka me investimin, por me procedurat që Qeveria ka ndjekur dhe mungesën e transparencës që shoqëron vendimmarrjet e Edi Ramës për çdo çështje të rëndësishme.
I fundit që ka reaguar me një postim në rrjetet sociale, në të njëjtën linjë me Edi Ramën dhe të gjithë kritikët e Donald Trump, është senatori amerikan Bernie Sanders. i konsideruar si një figurë kyçe në rradhët e demokratëve amerikanë, ndërsa përfaqëson linjën ekstreme të së majtës brenda kësaj partie, Sanders i lidhi protestat me projektin e Jared Kushnerit në Sazan.
Senatori amerikan Bernie Sanders publikoi një reagim në rrjetet sociale.
“Në Shqipërinë e vogël, mbi njëqind mijë njerëz kanë dalë në rrugë kundër një resorti luksoz me pasoja katastrofike për mjedisin, të planifikuar nga dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, dhe partnerët e tij miliarderë nga Katari. Kjo është pamja e oligarkisë globale dhe njerëzit po thonë “Jo”, shkroi Sanders.
In tiny Albania, over a hundred thousand people have been in the streets against an environmentally disastrous luxury resort planned by Trump’s son-in-law Jared Kushner and his Qatari billionaire partners.
— Sen. Bernie Sanders (@SenSanders) June 9, 2026
This is what global oligarchy looks like — and the people are saying NO. pic.twitter.com/2odMveCXL3
Qëndrimi i shfaqur nga senatori amerikan, është pasuar nga reagime në rrjet, mes të cilëve tërheq vëmendjen politikania e PD-së, Edith Harxhi.
Ish-zëvendësministre e Jashtme dhe një nga figurat e opozitës shqiptare, Harxhi në reagimin e saj shprehet se qytetarët shqiptarë janë ngritur kundër asaj që e cilësoi si “narco-shtet”, duke e konsideruar qeverinë Rama si shkakun kryesor të protestave.
“Kjo nuk është e vërtetë senator! Shqiptarët nuk u ngritën kundër Donald Trump dhe dhëndrit të tij. Shqiptarët janë ngritur kundër një qeverie të korruptuar të financuar nga e majta në Shtetet e Bashkuara. Ata janë ngritur kundër narko-shtetit që Edi Rama, kryeministri i tyre, ka ndërtuar gjatë viteve”, shkruan Harxhi.

Ndërkohë në një tjetër reagim, një prej aktivistëve që identifikohet si Dr. Palushi, gjithashtu e kundërshtoi interpretimin e Sandersit, duke argumentuar se protestat në Shqipëri nuk kanë si objekt kryesor projektin e Kushnerit, por pakënaqësinë ndaj qeverisë së Edi Ramës. Në reagimin e tij, ai e akuzoi kryeministrin për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar, duke pretenduar se projekti në ishullin e Zvërnecit po përdoret për interesa politike.

Debati vjen në një kohë kur projektet e investimeve strategjike në bregdetin shqiptar kanë nxitur diskutime të forta politike dhe mjedisore në vend. Mbështetësit e projekteve argumentojnë se ato do të sjellin investime dhe zhvillim ekonomik, ndërsa kundërshtarët shprehin shqetësime për ndikimin në mjedis, transparencën e procedurave dhe menaxhimin e pasurive publike. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje