Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar pas vendimit të Sekretariatit të Etikës në Kuvend, të drejtuar nga Ulsi Manja, i cili vendosi përjashtimin e tij për 30 ditë nga seancat plenare.
Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Shehaj deklaroi se masa disiplinore nuk do ta pengojë të vazhdojë opozitën dhe të ngrejë zërin për çështjet që, sipas tij, prekin qytetarët shqiptarë.
Kreu i Mundësia theksoi se angazhimin opozitar do ta vijojë jo vetëm në Kuvend, por edhe në protesta dhe në çdo hapësirë publike, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.
"Ulsiu dhe Taulanti sapo vendosën që unë nuk mund të flas në Parlament në 30 ditët e ardhshme. Iu kanë nxirë jetën në këto 35 vite qytetarëve shqiptarë duke ua bërë jetën të pamundur. Nuk kam për ta mbyllur gojën!
Nuk më ndalojnë dot! Do vazhdoj të bëj opozitë në Parlament, në bulevard me qytetarët dhe kudo që të më jepet mundësia. Janë të korruptuar dhe duhet të largohen sa më shpejt. Edi Rama duhet të japë dorëheqjen", shprehet Shehaj.
Përjashtimi i deputetit u kërkua nga Taulant Balla dhe një grup deputetësh socialistë pas tensioneve të krijuara gjatë një interpelance me ministrin e Financave, Petrit Malaj. Gjatë debatit, Shehaj kërkoi sqarime lidhur me mosvjeljen e një gjobe prej 120 milionë eurosh ndaj kompanisë Bankers Petroleum.
Në përgjigjen e tij, ministri Malaj iu referua kompanive private të Shehajt, duke deklaruar: “Tani do merremi ne me ty”.
Kjo deklaratë shkaktoi reagimin e menjëhershëm të kreut të Partisë Mundësia, i cili nga foltorja iu përgjigj: “Po nëse më kërcënon mua këtu në Kuvend, çfarë i bën një qytetari të thjeshtë që del në protestë ti, mor maskara?”.
Kjo është hera e dytë gjatë vitit 2026 që Agron Shehaj përjashtohet për 30 ditë nga punimet e Kuvendit.
Rasti i parë ndodhi pasi ai shfaqi në sallën e Parlamentit pamje që, sipas tij, tregonin dhunën policore ndaj banorëve të Rrjollit, ndërsa akuzonte mazhorancën për censurë ndaj tyre.
Lini një Përgjigje