TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Maj 2025, 19:10

Qytetarët folën, mbyllen qendrat e votimit; kush do t’i fitojë zgjedhjet parlamentare?

Shkruar nga Pamfleti

Qytetarët folën, mbyllen qendrat e votimit; kush do t’i

Skadon afati zyrtar, nis mbyllja e qendrave të votimit...

Qytetarët shqiptarë u janë drejtuar sot qendrave të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e rinj në parlament. Në orën 19:00 ka përfunduar orari zyrtar dhe ka nisur mbyllja e qendrave të votimit.

Sipas të dhënave paraprake nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri në orën 18:00 pjesëmarrja në nivel kombëtar ishte 41 për qind, një rënie e ndjeshme krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, kur në të njëjtën orë kishin votuar rreth 43.8% e zgjedhësve.

Qarqet me pjesëmarrjen më të lartë janë Dibra (48%), Tirana (46.5%) dhe Kukësi (48%), ndërsa në fund të listës renditen Vlora (30%), Shkodra (36%) dhe Gjirokastra (37%). Rënia në Vlorë lidhet edhe me zhvillimin e garës “Giro d’Italia”, e cila ka ndikuar në lëvizjen e qytetarëve dhe aksesin në qendrat e votimit.

Fushata u karakterizua nga një përplasje klasike mes Partisë Socialiste që kërkon mandatin e katërt dhe opozitës, e cila u rreshtua pas një fryme “alla Trump”, me sloganin “Make Albania Great Again” dhe përfshirjen direkte të strategëve amerikanë si Chris LaCivita dhe Tony Fabrizio. Megjithatë, sipas platformës së parashikimeve "Polymarket", Partia Socialiste mban një avantazh të padiskutueshëm me 97% gjasa për të fituar.

Procesi zgjedhor ka kaluar përgjithësisht i qetë, por ka patur dhe incidente. Në Pogradec pati dhunë dhe intimidime. Në Vorë pati përplasje mes Flamur Nokës dhe një militanti të PS. Po ashtu ka pasur akuza nga PD për presione dhe prezencë të “patronazhistëve” pranë qendrave të votimit.  

Tashmë pritet që numërimi i votave të nisë menjëherë pas mbylljes së kutive, ndërsa partitë kanë filluar përgatitjen për fazën tjetër – analizën dhe kontestimet, nëse do të ketë./Pamfleti

Lini një Përgjigje