
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar ditën e sotme në një konferencë për mediat anulimin e mbledhjeve të dy qeverive Kosovë-Shqipëri, ndërsa nuk kanë munguar reagimet e para të opozitës të cilët shprehen se tashmë Shqipëria u bë vendi i parë që sanksionon Kosovën.
Sekretari për Diasporën i demokratëve, Indrit Hoxha u shpreh se arritëm në ditën kur Shqipëria bëhet shteti i parë që i vendos sanksione Kosovës. Ai shtoi se anulimi i mbledhjes së përbashkët të dy qeverive tregon qartësisht lojën politike të kryeministrit Rama në interes të Serbisë.
“Ja ku arritëm dhe në këtë ditë! Shqipëria, shteti i parë që i vendos sanksione Kosovës. Anulimi i mbledhjes së përbashkët midis dy qeverive tregon qartësisht lojën politike të Ramës në interes të Serbisë”, shkruan Hoxha në Facebook.
Ndërkohë, edhe nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili e ka cilësuar Ramën si “peng dështak” që tanimë po bën “zëdhënësin e sanksioneve”, pasi Rama përmendi mundësinë e këtyre masave ndaj Kosovës nga ana e Perëndimit.
Ai shtoi më tej se “Edi Vuçiç” e di Kosovën dhe qeverinë e saj si “palaçot pa dinjitet që ka në qeverinë e tij”.
“Pengu dështak tani bën zëdhënësin e sanksioneve. Filloi prap me kërcënime ky Edi Vuçiç! Ky Edi Vuçiç e di Kosovën dhe qeverinë e saj si këta palaçot pa dinjitet që ka në qeverinë e tij. Formatet e këtij Edi Vuçiçit janë thjesht dhe vetëm kavërdisje anti Kosovë dhe anti Shqipëri. Çfarë është ky sharlatan… zëdhënësi i sanksioneve”, shkruan Vasili.
Një tjetër reagim ka ardhur edhe nga deputeti i PD, Kreshnik Çollaku i cili e cilëson këtë vendim të Ramës si sanksione ndaj Kosovës. Më tej ai shton se ky vendim i turpshëm do të kujtohet gjatë në historinë e vendit tonë.
“Me anulimin e njëanshëm të mbledhjes së qeverive Shqipëri-Kosovë. Rama sapo vuri sanksionin e parë ndaj Kosovës. Kjo do shkruhet e kujtohet gjatë në historinë tonë. Jam pa fjalë.. e me shumë turp.”, tha Çollaku.
Lini një Përgjigje