Ish ministrja Spiropali tha sot në Kuvend se është e keqardhur që largimi i saj nga detyra u paralajmërua nga Sali Berisha.Diplomati Ferit Hoxha do ta zëvendësojë Spiropalin si ministër për Evropë dhe Punë të Jashtme.
Pas vendimit të kryeministrit Edi Rama për shkarkimin nga detyra e ministres, Elisa Spiropali ka reaguar sot në Kuvend.
“Jam e habitur që Sali Berishës i doli fjala në Kuvend”, është shprehur ajo, duke reaguar ndaj debatit që u zhvillua në sallën e Parlamentit.
"Unë nuk flas vetëm anglisht, por edhe gjuhë tjetër të huaj. Por më mirë se shqipen nuk flas asnjë gjuhë. Edhe flas shqip, flas troç dhe flas sic duhet me Shqipërinë dhe për Shqipërinë. Cdo detyrë këtu në Kuvend është nder i madh. E vetmja gjë për të cilën më vjen keq është që largimin e paralajmëroi Sali Berisha dhe jo ndonjë tjetër. Vetëm për këtë jam e habitur që i doli fjala dhe për asgjë tjetër.", tha Spiropali.
Menjëherë pas saj fjalën në Kuvend e mori për replikë, Sali Berisha.
Kreu i PD si kundërpërgjigje iu drejtua “S’e ke nga Berisha, jo, e ke nga vetja jote. Gëzoheshe se tani do bëheshe ti zv.kryeministre. Nuk e ke nga Sali Berisha atje, e ke nga vetja jote se more përpjetë”.
“Eliza, je viktima më e pa rëndësishme e Lubisë dhe më e merituara në një kohë kur sytë e shqiptarëve drejtoheshin drejt asaj si të ishte korb e zezë, ti na vije si nuse këtu e veshur me të bardha me aksesorë, pse ti mendon se hante bar lubia? Nuk e ke nga Berisha jo e ke nga vetja jote, se gëzoheshe që do të bëheshe ti zv kryeministre, se dije që ishte kjo tjetra klone. Për Berishën, Rama të lartësonte njëlloj si klonin e Lubisë, po ti more përpjete. U thoje do jem Lubia juaj dhe more atë që meritoje”, tha Berisha.
Ndërkohë, Spiropali u përgjigj sërish duke akuzuar Berishën se tanimë nuk ka mundësi të lëvizë asnjë gur.
“Të gjithë e kanë nga vetja Sali. Asnjë nuk e kanë nga të tjerët. Unë nga vetja, ti nga vetja dhe për veten vetëm mbajmë përgjegjësi në këtë dhe. Të shohim se ku jemi e ku ishim dhe të shohim edhe për të ardhmen. Nëse i bën analizën e vetes të tjerëve se ti nuk ke më përgjegjësi se nuk lëviz më një gur, por vetja është ajo që na sjell ku jemi dhe për veten mbajmë përgjegjësi, për të tjerat mbajnë përgjegjësi të tjerët”, tha Spiropali.
Diplomati Ferit Hoxha do ta zëvendësojë Spiropalin si ministër për Evropë dhe Punë të Jashtme.
Ndërkohë sot në Kuvend kanë mbërrritur Ermal Nufi, Enea Karakaçi, Ferit Hoxha, ku pritet të votohen për të marrë zyrtarisht postet ministrore, një ditë pas dekretimit nga Presidenti Bajram Begaj.
Pas votimit në Kuvend, ministrat e rinj do të duhet të paraqiten edhe një herë në zyrën e Bajram Begajt përpara se sa të nisin zyrtarisht detyrën.
Betimi në Kushtetutë është hapi i fundit procedura që jep dritën jeshile ministrave që të hyjnë në zyrë.
Sipas këtyre ndryshimeve, Belinda Balluku dorëzon të dyja pozicionet në Këshillin e Ministrave, ku atë të zëvendëskryeministres e merr Albana Koçiu, ndërsa Ministër për Infrastrukturën dhe Energjinë bëhet Enea Karanaçi.
Pjesë të ndryshimeve qeveritare ishin edhe rokadat e brendshme kur Besfort Lamallari i dorëzon Toni Gogut Ministrinë e Drejtësisë për të marrë Ministrinë e Brendshme.
Po ne kete qeveri qe kemi,te gjitha lubi Jane!
Po riorganizohet ceta Alibabait.