
Tedi Blushi, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, e konsideron si një lëvizje që bie ndesh me Rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën, qëndrimin e mazhorancës së Kryeministrit Edi Rama për të ndryshuar me urgjencë rregulloren e Kuvendit.
Pas takimit të thirrur nga Kryeparlamentari Niko Peleshi me drejtues të Grupeve Parlamentare, Blushi tha se minimalisht Kuvendit duhet t’i lihet 1 javë kohë që të njihet me ndryshimet në Rregulloren, që propozohen nga mazhoranca. Blushi tha se në mbledhje u kërkua një draft lidhur me ndryshimet e propozuara, por nuk na u vu në dispozicion.
Blushi tha se Edi Rama po e trajton Kuvendin si një noter të ideve që ka ai.
“Kërkuam që edhe formalisht të respektohet Rregullorja dhe Kushtetuta, por u gjendëm përballë vendosmërisë të kryetarit të ri të Parlamentit, të kryetarit të Grupit Parlamentar të rilindjes që janë të vendosur për të shkelur Kushtetutës me të dyja këmbë duke kaluar në seancën e nesërme ndryshime të rregullores, ku qartësisht rregullorja parashikon që ndryshimi i rregullores kërkon një afat të përcaktuar prej të paktën 2 javë. Dhe në procedurë të përshpejtuar duhet respektuar të paktën afati 1 javor.
Po kërkojmë konsensus mbështetur në atë që parashikon rregullorja.
Ajo që kundërshtojmë ne është që Edi Rama kërkon ta trajtojë Kuvendin si noter të vendimeve të tij të paligjshme”, tha Blushi.
Lini një Përgjigje