TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Qershor 2026, 17:31

"Rama ik!"/ Shqiptarët mbushin sheshet në Paris, Stuttgart dhe Toronto kundër qeverisë

Shkruar nga Pamfleti

"Rama ik!"/ Shqiptarët mbushin sheshet në Paris, Stuttgart

Shqiptarët në Paris, Stuttgart dhe Toronto kanë dalë në protesta në mbështetje të revoltës qytetare që po zhvillohet në Shqipëri.

Vala e protestave kundër qeverisë Rama po kapërcen kufijtë e Shqipërisë, duke mobilizuar gjithnjë e më shumë shqiptarë në diasporë. Nga Amerika e Veriut në zemër të Europës, qindra qytetarë janë mbledhur në sheshe dhe rrugë kryesore për të shprehur solidaritet me protestuesit në atdhe dhe për të ngritur zërin kundër qeverisjes aktuale.

Pas tubimit të zhvilluar në Toronto të Kanadasë, qindra shqiptarë të diasporës u grumbulluan edhe në Stuttgart të Gjermanisë dhe në Paris të Francës. Të rinj, fëmijë dhe të moshuar mbanin në duar flamuj kombëtarë dhe pankarta me mesazhe kundër qeverisë, ndërsa tubimet u dominuan nga thirrje si: “Shqipëria është e jona!”, “Rama ik!”, “Revolucion!” dhe “Shqipëria nuk është e pushtetarëve!”.

"Rama ik!"/ Shqiptarët mbushin sheshet në Paris, Stuttgart
Protesta në Toronto, Kanada

Protestat e diasporës po shtrihen paralelisht me ato që prej ditësh mbajnë të ndezur klimën politike në Shqipëri. Nga Tirana deri në Londër, Vjenë, Milano, Berlin, Mynih, Uashington dhe Stokholm, shqiptarët po organizohen për të mbështetur njëri-tjetrin dhe për të përcjellë të njëjtin mesazh: kërkesën për ndryshim dhe dëgjimin e zërit qytetar.

(Shqiptarët në Paris)

Protestat e shqiptarëve në diasporë kanë vijuar edhe në Hagë, ku qytetarë të shumtë janë mbledhur për të kundërshtuar projektin për investim në zonën e Zvërnecit. Me flamuj kuqezi dhe pankarta në duar, protestuesit brohoritën “Rama në burg” dhe “Shqipëria është e jona”, duke shprehur mbështetjen për kauzën.

Ajo që nisi si një reagim ndaj zhvillimeve në Zvërnec po shndërrohet gradualisht në një lëvizje më të gjerë me ngarkesë politike, duke bashkuar shqiptarë brenda dhe jashtë vendit. Për shumë prej protestuesve, pjesëmarrja në këto tubime nuk është vetëm një akt solidariteti, por edhe një mënyrë për të treguar se lidhja me Shqipërinë mbetet e fortë pavarësisht distancës.

Ndërsa protestat në Tiranë kanë hyrë në ditën e tetë, diaspora po shfaqet gjithnjë e më shumë si një faktor i rëndësishëm në këtë valë reagimi qytetar, duke i dhënë jehonë ndërkombëtare kërkesave që po artikulohen në Shqipëri.

(Shqiptarët në Stuttgart)

stuttgart paris diaspora proteste

Lini një Përgjigje