TAGS-AT E JAVËS

Politike20 Korrik 2025, 09:46

Rama merr në “testim” ministrat, java vendimtare për të ardhmen e tyre politike

Shkruar nga Pamfleti

Rama merr në “testim” ministrat, java vendimtare për

Edi Rama ka kthyer kokën nga ministrat. Një takim me anëtarët e Qeverisë, drejtuesit politikë të qarqeve, drejtorët e agjencive qendrore, përfshirë Tatime e Dogana, është programuar të zhvillohet, ku secili do të ‘testohet’ për punën e tij…

Në zgjedhjet e 11 majit, Edi Rama mori një fitore të thellë, duke siguruar plot 83 mandate deputetësh në Parlamentin e ri që nis punimet në shtator.

Me shumë emra të panjohur në listat e deputetëve, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve edhe pa eksperiencë, Rama ka luksin që të ndërtojë një ekip të tijin qeveritar pa ruajtur ndonjë balancë në rradhët e socialistëve.

Pas zgjedhjeve ai ndërmorri një tur që synonte pastrimin e Bashkive nga ata që i konsideronte si ‘pengesa’ në rrugëtimin drejt BE-së dhe brenda pak ditësh arriti të pastrojë administratën lokale nga administratorët, nënkryetarët e Bashkive dhe drejtorët, që dorëzuan në heshtje dorëheqjet përballë ultimatumeve të Kreut të Qeverisë.

Më pas urdhëroi nisjen e një aksioni për ‘çlirimin e hapësirave publike’ duke filluar me Thethin ku rrafshoi për 1 javë rreth 100 shtëpiza e ndërtime, që u konsideruan të paligjshme.

Ndërkohë këtë javë Edi Rama do të merret me ministrat. Një takim me anëtarët e Qeverisë, drejtuesit politikë të qarqeve, drejtorët e agjencive qendrore, përfshirë Tatime e Dogana, është programuar të zhvillohet mes 24-25 korrikut, ku secili do të japë llogari.

Një praktikë e ndjekur pothuajse çdo vit, ku ministrat shfaqen bashkë me stafet e tyre, me dhjetra dosje në skedarët e lap top, që ballafaqojnë punën e tyre me objektivat, dhe në fund është Edi Rama që bën vlerësimin. Nëse i referohemi shumë prej deklaratave të Kryeministrit, disa nga drejtuesit e agjencive qendrore duket se do të kenë fatin e zyrtarëve lokalë, dhe paralelisht me ta, edhe ministrat e linjës.  

Ndryshe nga dy apo tre vitet e fundit, takimi i këtij viti mund të thotë shumë për karrierat politike të ministrave aktualë, nëse do të jenë ose jo në planet e Edi Ramës edhe për qeverinë e re.  

Kjo e fundit pritet të mësohet në 10 ditëshin e fundit të gushtit, kohë kur mendohet se do të mblidhet Asamblea Kombëtare e PS-së, nga ku Rama do të bëjë të njohura emrat e Qeverisë, por edhe objektivat. Deri atëherë, duket se Kryeministri, njëherazi edhe Kreu i PS-së, ka vendosur të mbajë në ‘tension’ anëtarët aktualë të Qeverisë, duke krijuar idenë se vazhdimësia e tyre në detyra, do të përcaktohet nga performanca që kanë treguar. /Pamfleti/

 

 

 

Lini një Përgjigje