
Lëvizja Shqipëria Bëhet ka reaguar lidhur me përplasjet e fundit me kreun e Nisma Thurje, Endri Shabani sa i takon mandatit të deputeti të fituar në Tiranë.
Duke marrë shkas nga kërcënimet që një simpatizant i Adriatik Lapajt i ka dërguar Endri Shabanit dhe dajës së tij, Lëvizja Shqipëria Bëhet është distancuar nga këto kërcënime dhe deklarata, duke u shprehur se nuk e mbështesin një formë të tillë.
Më tej në deklaratë, LSHB-ja iu bëri thirrje mbështetësve të saj që të përmbahen dhe të mos rrëmbehen nga ngarkesat emocionale të situatës. LSHB-ja kërkon nga Nisma Thurje që të respektojë paktin para zgjedhor për tërheqjen e të gjithë kandidatëve të listës së mbyllur siç kishin rënë dakord.
Lëvizja Shqipëria Bëhet shton në fund që marrëdhënia mes dy lëvizjeve duhet të vazhdojë të jetë e fortë dhe se duhet të lënë mënjanë zënkat e të bëhen gati për zgjedhjet lokale.
Njoftimi i plotë i Lëvizja Shqipëria Bëhet:
Në dritën e ngjarjeve të fundit dhe përmbajtjeve të publikuara në rrjet, dëshirojmë të sqarojmë se nuk përfaqësojmë dhe nuk mbështesim asnjë formë gjuhe fyese, kërcënuese apo të dhunshme që bie ndesh me vlerat tona.
Ne u bëjmë thirrje të gjithë ndjekësve tanë, simpatizantëve, aktivistëve dhe anëtarëve të angazhuar me ne, të refuzojnë në çdo moment gjuhën e dhunës pavarësisht ngarkesës emocionale nga çdo padrejtësi.
Por, po aq të qartë duam të jemi edhe për një tjetër të vërtetë: Në këtë histori, të dhunuarit e vetëm janë 64.000 qytetarët që na votëbesuan dhe qindra aktivistët tanë që dhanë gjithçka në këtë betejë.
Ndiejmë keqardhje të sinqertë për situatën e krijuar në lidhje me çështjen e mandatit dhe ju sigurojmë se nuk po i shmangemi përgjegjësisë sonë, por po bëjmë çdo përpjekje të ndershme për të mos ju zhgënjyer dhe për të ruajtur besimin që na keni dhënë.
Sepse për ne, gara e ndershme dhe meritokracia janë dy shtyllat mbi të cilat u ngrit “Shqipëria Bëhet”. Ishin të vetmet armë që kishim përballë një sistemi të kalbur. Ishin këto dy parime që frymëzuan 64.000 qytetarë të na mbështesin pa interes.
Ndaj po goditen sot, me shënjestër të saktë, si nga snajperistët e zakonshëm të sistemit, ashtu edhe nga ata që u shërbejnë si zëdhënës.
Nëse gabimi ynë është dorështrirja për bashkëpunim, mund të na gjykoni! Ne po kërkojmë thjesht që marrëveshja parazgjedhore të realizohet ashtu siç u dolëm qytetarëve në fushatë. Është pikërisht ajo pika që dëshmon qasjen tonë për garën.
Theksojmë se ne nuk do të heqim dorë nga besimi që gara e ndershme është rruga e vetme për të rikthyer besimin në demokraci. Përtej çdo shantazhi e hileje, brenda e jashtë sistemit, ne do të qëndrojmë.
Jemi në pritje të reflektimit dhe uljes për zgjidhje nga pala tjetër në Koalicion. Ne e konsiderojmë këtë një moment që duhet tejkaluar si detyrë ndaj zgjedhësve tanë. Jemi në pritje të Z.Shabani dhe Z.Soko për ta adresuar me maturi e të vazhdojmë punën për zgjedhjet vendore. Sepse rrugën e nisur, nuk do ta lëmë në mes!
Lini një Përgjigje