
Kryeministri i vendit, Edi Rama pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste, foli për punën që partia po bën në kuadër të zgjedhjeve lokale të 14 majit.
Ai theksoi se në mbledhjen e kryesisë fokusi ishte tek emrat e kandidateve dhe këshilltarëve dhe programi për fushatën zgjedhore, sipas zonave të ndryshme.
Rama është përgjigjur dhe pyetjes së gazetarëve të pyetur për deklaratën e Arben Ahmetaj, kryeministri tha se nëse do ishte gjykatë do kishin shkuar gjërat keq për ish-kryeministrin.
“Nëse unë do të kisha bërë rolin e gjykatësit gjërat do të kishin qenë shumë më keq për ata që duan që unë të bëj gjykatësin.”, tha Rama.
Rreth dy javë më parë në një intervistë televizive, ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj konfirmoi qartazi prishjen e marrëdhënieve të tij me kryeministrin Edi Rama, në kabinetet e të cilit ai shërbeu në pozicione të rëndësishme, duke qenë një ndër ministrat më jetëgjatë dhe më pranë tij.
Ahmetaj u përgjigj se “nuk i kam kërkuar ndonjëherë ndihmë”, duke shtuar se “nuk do desha të isha në pozicionin e kryeministrit që të pretendoja të bëja gjykatësin. Një sugjerim, të bëjë atë që bën më mirë, kryeministrin. Gjykatësi është pak i sikletshëm se duhet të njohësh procedurat dhe detajet”.
Ndarja mes zotit Ahmetaj dhe kryeministrit u zyrtarizua në korrik të vitit të kaluar, kur zoti Rama e shkarkoi nga detyra e zëvendëskryeministrit dhe ministrit për Rindërtimin, ndërsa disa javë më pas e largoi dhe nga funksioni i drejtuesit politik të Partisë socialiste në një nga qarqet e vendit. Ndaj të gjithë ish bashkëpunëtorëve të tij, që kanë përfunduar para drejtësisë, zoti Rama ka përdorur të njëjtin arsyetim se “përgjegjësia është individuale”, duke larë duart me ta.
Edhe për këtë pozicionim të tij, Ahmetaj pati një koment kur u shpreh se “nuk jam te historia “është përgjegjësi personale”, se kjo nuk është e para, por e fundit”.
Emri i Ahmetajt me inceneratorët është ndër më të përfolurit, kryesisht nga opozita. Prokuroria e Posaçme ndërkohë, ka deklaruar publikisht se lidhur me procedurat për rastin e Elbasanit ajo po vijon hetimet sa i përket aktivitetit të disa institucioneve, përfshirë dhe Ahmetaj, si ministër i Ekonomisë në atë kohë.
Lini një Përgjigje