TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Mars 2023, 11:13

Berisha mbetet jashtë zgjedhjeve, Celibashi: Të drejtën për të regjistruar PD-në e ka Lulzim Basha

Shkruar nga Pamfleti

Berisha mbetet jashtë zgjedhjeve, Celibashi: Të drejtën për

Sali Berisha përfundimisht nuk mund të regjistrohet në zgjedhjet e 14 majit.

Kryekomisioneri Qendror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në mbledhjen e sotme të KZQ tha se të drejtën për të kërkuar regjistrimin e PD si subjekt zgjedhor e ka Lulzim Basha, pasi ai figuron kryetar i PD në pikëpamje të ligjit.

Megjithatë Celibashi u shpreh se dokumentacioni i dorëzuar nga pala e tij nuk është i plotë. 

“Nuk është KQZ që vendos se kush është përfaqësuesi i një partie politike, për aq kohë sa nuk është KQZ, këtë e merr nga një palë e tretë. E ka përcaktuar ligji i partive politike dhe kodi zgjedhor që përcakton se kush është organi që vendos për drejtimin e partive politike. Është gjykata dhe një dokument që vjen prej gjykatës që përcakton se kush është drejtuesi i një partie politike. Kjo është e qartë për këdo dhe është e kotë që të vazhdojmë diskutimet.

Në nenin 9 të ligjit për partitë politike thuhet se regjistrimi i partive bëhet në shkallën e parë të rrethit Tiranë që mban edhe regjistrin e partive politike. Anëtarësia e një partie politike mund të njohin për drejtues të një partie këdo që ata çmojnë dhe vlerësojnë, por për ligjin dhe institucionet publike, përfshi edhe KQZ-në, ajo që merret në referencë është dokumenti zyrtar.

Do të ishte shumë e dëmshme nëse KQZ do ta merrte këtë vendim bazuar mbi perceptime dhe fakte publike, për sa kohë që ekziston një dokument zyrtar që vërteton një fakt. Unë mund ta pranoj që Berisha është kryetar i PD-së, por nuk ndryshon asgjë në përputhje me ligjin pasi duhet të marr në konsideratë një dokument zyrtar të gjykatës. Të drejtën për të regjistruar PD-në, bazuar në dokumentet zyrtare që i janë vënë KQZ-së e ka Lulzim Basha. Ai figuron kryetar i PD-së.”, tha Ilirjan Celibashi.

Celibashi i dha grupimit Alibeaj 48 orë kohë për ta plotësuar dokumentacionin për tu regjistruar në zgjedhje.

"Të drejtën për të kërkuar regjistrim bazuar në dokumentet zyrtare të cilat janë vënë në dispozicion e ka zoti zoti Lulzim Basha, ai figuron kryetar i PD në pikëpamje të ligjit. Nga vlerësimi i dokumentacionit te paraqitur nga Lulzim Basha do duhet sipas ligjit që kërkesa për regjistrimin e PD të paraqitej nga kryetari i PD zoti Lulzim Basha. Në vlerësim të dokumentacionit unë vlerësoj se ky dokumentacion nuk është i plotë në përputhje me parashikimet e kodit zgjedhor. Besoj se është e qartë se dhe për ju Indrit dhe për këdo tjetër. Dokumentacioni duhet të jetë në përputhje me nenin 64 të kodit zgjedhor.", shtoi  Celibashi.

Ndërsa Përfaqësuesit ligjorë të grupit të Berishës paraqitën argumentet e tyre për dokumentacionin e paraqitur duke theksuar se Lulzim Basha ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit dhe anëtarësia është ajo që vendos për lidershipin.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i grupimit të Alibeaj Indrit Sefa tha se KQZ nuk mund të zhvillojë një debat politik e gjyqësor pasi vendimi është dhënë tashmë nga Gjykata e Apelit.

Debatet në KQZ:

Ledio Nuraj (Përfaqësuesi ligjor i grupit të Berishës): Këtu jemi në bazë të kërkesës të bërë në datë 5 Mars, të firmosur nga kryetari Sali Berisha. Ne kemi depozituar para jush kërkesën për regjistrimin e PD si subjekt zgjedhor për zgjedhjet lokale, kemi vënë të gjithë dokumentacionin që parashikon kodi zgjedhor dhe doja të citoja para jush se PD është krijuar që në 1990 dhe ka vijueshmëri 32 vjeçare. Në Gjykatën e Tiranës është depozituar kërkesa e palës kërkuese e përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit ku objekt i kërkesës ka qenë për tu regjistruar në Regjistrin e Partive Politike, sipas vendimit të Kuvendit të Dhjetorit në 2021-in i cili është thirrur në bazë të statutit që ishte në fuqi.

Vendimet që unë po citoj janë të bashkangjitura në kërkesë, kundër këtij vendimi Alibeaj ka bërë një ankim pranë Gjykatës së Apelit, e cila në 3 Mars 2023 ka vendosur që të dërgojë çështjen për rigjykim me ndërrim të trupës gjykuese. Vendimi i shkallës së parë akoma i gëzon efektet sepse nuk kanë kaluar afatet e parashtruara nga Apeli. Duam të regjistrohemi sot pasi Kuvendi i 11 Dhjetorit dhe organet e partisë sipas dispozitave të ligjit për partitë politike janë ende në fuqi. Edhe vendimi nr.3 i Gjykatës së Tiranë është ende në fuqi dhe i pashfuqizuar dhe mund të merret në konsideratë. Gjykata e Apelit nuk ka një vendim të formës së prerë.

Ledio Nuraj: Basha u shkarkua nga Kuvendi dhe anëtarët.

Indrit Sefa (Përfaqësues ligjor i grupimit Alibeaj): Më vjen mirë që KQZ është kaq i hapur në debatin politik dhe gjyqësor duke kaluar në nostalgjinë që ka komisionari si ish-gjyqtar. Mund të merrni një vendim gjyqësor mbi atë të Apelit nëse mendon se e ka këtë kompetencë atëherë mund të jetë një debat shterrues sepse nuk e transmetua dot seanca gjyësore në Apel.

Ilirjan Celibashi: Keni gjithë mundësinë të shfrytëzoni transparencën e KQZ-së.

Indrit Sefa: Në këtë debat kërkoj një kopje të kërkesës së zotit Berisha, ta shoh dhe ta njohë publiku.

Indrit Sefa: Ky dokument nuk përmbush kushtet themelore as pullë dhe as vulë dhe ju si ish-gjyqtar e dini mirë se jo vetëm nuk noterizohen dhe s’janë të ekzekutueshme, por nuk mund të sjellin asnjë efekt dhe nuk zbatohen dot. E dyta, në asnjë rresht të këtij vendimi nuk shkruhet kërkesë e PD-së por i Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit të cilit i ka mbaruar mandati në Prill të vitit 2022. U ngrit një pretendim tjetër, është regjistrimi i 2018-ës, ke vendimin e 2021 janë regjistruar të gjitha organet e PD, të gjitha ndryshimet dhe në 13 Qershor edhe zgjedhja e kryetarit, por këtij komisioni nuk i duhet ky dokumentacion, vendimi është dhënë. Ky komisioni siç e ka traditë del me projekt vendime, por ne jemi në gjendje të përgjigjemi për të gjitha, unë nuk dua t’i hyjmë më tej këtij debati, nuk është momenti për debat politik, ka gjykata që janë shprehur.

Celibashi: KQZ nuk e ka këtë atribut, nuk është  që arsyeton se cili person është përfaqësues I një partie politike, nuk ka asnjë parashikim në kodin zgjedhor ku të përcaktohet se ku është kompetencë për të vendosur se cili është organi drejtues. Gjykata është institucioni tjetër që vendos se cili është organi drejtues i një partie politike.

Ndërhyn përfaqësuesi i Berishës: Nuk është gjykata që vendos, por merr dhe regjistron.

Celibashi: KQZ nuk e vendos, mjafton kaq, jemi të gjithë dakord, nuk e vendos kqz se cili është drejtuesi i një partie politike.

Kaziaj: E vendos anëtarësia dhe kryetari kur jep dorëheqjen kur është akt i parevokueshëm.

Celibashi: Po  shqyrtojmë të dyja kërkesat, njëri këkron regjistrimin me kryetar Bashën dhe kryetar Berishën.

Celibashi: Pra të gjithë biem dakort që nuk është kqz që vendos kush është drejtues dhe përfaqësues i një partie. Ligji për partite politike është caktuar qartë kush organi që vendos,  kjo do thotë që është gjyaka dhe një dokument që vjen nga gjykata që percakton kush është drejtues i një partie politike.

pd

Lini një Përgjigje