
Nga braktisja e zgjedhjeve te përplasja në Pogradec, qytetarët ‘nuk mbajnë më’....
Në Shqipëri po ndodh diçka që politika po përpiqet ta injorojë, por që është bërë e dukshme për këdo që sheh realitetin përtej ekraneve të propagandës. Revolta qytetare po rritet. Jo me parulla, jo me protesta të organizuara, por me heshtje, me braktisje dhe shpërthime spontane kundër institucioneve që qytetarët nuk i besojnë më.
Zgjedhjet e pjesshme vendore të djeshme ishin sinjali më i fortë. Vetëm 18.4 për qind e qytetarëve dolën në votime në pesë bashki të vendit. Pjesëmarrja më e ulët që nga rënia e komunizmit. Të rinjtë, dikur energjia e çdo procesi elektoral, ishin tërësisht të zhgënjyer dhe të painteresuar. Një shoqëri që nuk voton, nuk është apolitike; është e lodhur dhe e bindur se vota nuk ndryshon më asgjë.
Vetëm një ditë më pas, në Këshillin Bashkiak të Pogradecit, tensioni shpërtheu në mënyrën më të keqe. Vendimi për dhënien me qira të 34.660 hektarëve tokë në Çërravë, zonë bujqësore e lidhur ngushtë me jetesën e fshatarëve, ndezi përplasjen mes qytetarëve dhe këshilltarëve bashkiakë. Një debat që përfundoi në konfrontim fizik, me arrestimin e një banori dhe britmat “turp, palaço” në drejtim të përfaqësuesve të zgjedhur. E njëjta histori që është përsëritur disa herë muajt e fundit: vendime të marra në zyrë, pa konsultim, pa transparencë dhe në dëm të njerëzve të thjeshtë. Dhe skandali thellohet pasi i riu që protestoi, u arrestua se kundërshtoi vendimet e Rilindjes.
Kjo s’është një ngjarje e izoluar. Vetëm disa javë më parë, në Vlorë, një qytetar shpërtheu gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, duke akuzuar publikisht zyrtarët lokalë si “mashtrues dhe intrigantë”. Ai kërkonte dëmshpërblimin për shtëpinë e shembur, ndërsa në vend të zgjidhjes kishte marrë vetëm heshtje. Ky ishte reagimi i një qytetari që nuk ka më frikë, sepse nuk ka më asgjë për të humbur.
Të gjitha këto ngjarje janë pjesë e të njëjtit zinxhir: pakënaqësia e thellë ndaj pushtetit vendor dhe qendror, ndaj arrogancës së administratës, ndaj një klase politike që prej vitesh s’është më në kontakt me realitetin. Në mënyrë të veçantë, mazhoranca në pushtet po përballet me rritjen e këtij zemërimi. Projekti i reformave që u premtoi qytetarëve një shtet funksional, sot perceptohet si një fasadë që mbulon abuzime, klientelizëm dhe shpërfillje.
Revolta qytetare nuk ka më nevojë për thirrje; ajo po ndodh vetvetiu, në heshtje dhe me shenja të qarta paralajmëruese. Braktisja e votimeve është një refuzim politik. Përplasjet në këshillat bashkiakë janë revoltë morale. Nëse politika nuk i lexon këto sinjale tani, herën tjetër nuk do të ketë më debat e votë, por përballje. /Pamfleti
Pordhë me rigon! Po ngrihet populli kundër njëri-tjetrit,po asnjë herë kundër maskarenjve që po shpërbëjnë Shqipërinë. Kryesisht për shkak të atij kriminelit plak që po shkatërron çdo lloj opozitë në vend. Nuk e duron dot më askush atë kalbësirë!
Ne kete vend problemi eshte me elitat qe jane te tredhura. Sa per popujt, bageti kane qene gjithmone.