
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka folur për aksionin opozitar dhe ‘Platformën e Rezistencës’ që po përgatit PD.
Vokshi u shpreh se opozita do të zhvillojë aksionin e saj politik si brenda ashtu edhe jashtë Parlamentit.
“Aksioni nuk do jetë vetëm në një shtyllë të tij. Do jetë në parlament dhe sigurisht si përfaqësues të më shumë se 500.000 qytetarëve, ne na bie përgjegjësia që të jemi në vijën e parë. Ne do bëjmë aksionin tonë, do ta bëjmë brenda komisioneve, brenda seancës, jashtë komisioneve, jashtë seancës plenare, pra edhe jashtë parlamentit edhe brenda parlamentit. Por duke mos lënë pas dore takimet me strukturat dhe me qytetarët”, tha ajo.
Deputetja theksoi se situata në vend është e rëndë dhe se qytetarët kanë frikë të shprehen lirisht.
‘Jemi në një situatë të vështirë, ku çdo qytetar shqiptar ka frikë të flasë, ka frikë të të takojë, ka frikë të jetë komisioner apo vëzhgues, sepse ndëshkohet të nesërmen ose edhe atë natë”, deklaroi Albana Vokshi.
Ajo tha gjithashtu se opozita po i kushton rëndësi të veçantë kontaktit të përditshëm me strukturat dhe qytetarët, sidomos pas raportit të OSBE-ODIHR që, sipas saj, ‘i damkosi edhe njëherë zgjedhjet e organizuara nga Edi Rama, duke treguar se Shqipëria është kthyer në një parti-shtet’.
“Do flasim me strukturat, do flasim për zgjedhjet, për riorganizimin tonë, dhe një vëmendje të shtuar do ketë takimi me qytetarët. Mënyra se si hartohet buxheti i shtetit tregon se si kjo qeverisje keqqeveris, dhe buxheti i Edi Ramës tregon fizionominë e një qeverie të korruptuar dhe abuzive”, u shpreh deputetja për “Syri Tv”.
Lini një Përgjigje