Politike25 Maj 2024, 09:50

Rezoluta për luftën ndaj korrupsionit, Tabaku: Mazhoranca nuk e ka lartësinë morale për ta luftuar

Shkruar nga Pamfleti

Rezoluta për luftën ndaj korrupsionit, Tabaku: Mazhoranca nuk e ka
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku komentoi bojkotin e PS në KKIE mbi projektrezolutën e propozuar nga mazhoranca në luftën kundër korrupsionit.

Ajo ka argumentuar se mazhoranca nuk ka ndonjë atribut më shumë se sa PD për të drejtuar luftën kundër korrupsionit duke parë situatën aktuale të qeverisë dhe gjithashtu edhe ligjet me porosi të mirataura nga PS.

Më tej Tabaku shprehet se opozita nga ana tjetër ka qenë jo vetëm denoncuese, por edhe proaktive në propozimin e projektligjeve në luftën kundër korrupsionit por ka qenë mazhoranca që me votat e saj në kuvend ka rrëzuar këto propozime që synonin forcimin e sistemit parandalues ndaj korrupsionit.


Postimi plotë:
Ditën e hënë parlamenti do të miratojë një rezolutë për luftën ndaj korrupsionit. A është lufta ndaj korrupsionit çështja e një rezolute që mund të shkelet me dy këmbë si shumë të tjera? Apo ka qenë çështje e një vullneti politik që deri më sot nuk ka ekzistuar?

A e ka lartësinë morale mazhoranca që të jetë në krye të kësaj lufte dhe të marrë flamurin e luftës ndaj korrupsionit? Në mënyrë absolute jo! Në emër të opozitës kemi dorëzuar vijëmisisht ligje për të parandaluar korrupsionin. Për atë korrupsion që sot, fatkeqësisht është kthyer në një korrupsion endemik, që po shtrihet në gjithë ekonominë, po largon të rinjtë nga Shqipëria dhe që po e përqendron ekonominë në pak duar.

Mazhoranca nuk besoj se e ka lartësinë morale për ta luftuar korrupsionin. Procesi i integrimit është një proces gjithëpërfshirës. Një proces që duhet të ketë bashkëdakordësi. Dhe kjo s’mund të bëhet njëanshmërisht nga ato që sjellin ligje në parlament pa asnjë procedurë, ligje të porositura. Ligje që nuk e luftojnë korrupsionin por e stimulojnë korrupsionin. Për këtë arsye besoj që lufta kundër korrupsionit duhet të kthehet në një prioritet kombëtar dhe duhet që opozita të jetë pjesë e saj patjetër.

jorida tabaku projektrezoluta