
PD nis të kërkojë fletët e “humbura”, asnjë fjalë për rinumërimin e votave
Listat e kandidatëve për deputetë në radhët e PD-së duket se janë kalkuluar me shumë kujdes. Edhe pse u kritikua për emrat e përzgjedhur, Berisha ka pasur diçka tjetër në mendje. Ai e dinte që do të humbiste dhe zërat “kritikë” i degdisi te lista e hapur. Fatmirësisht, ia arriti që Jorida Tabaku të dalë prej pritshmërive të doktorit dhe të marrë mandatin.
Por shumë emra të tjerë u lanë jashtë, përfshirë Ilir Alimehmetin, Myzlim Murrizin, etj. Ndonëse Berisha u shpreh i keqardhur që ata nuk ia dolën, në fakt, atyre u futi për herë të dytë thikë pas shpine.
Ilir Alimehmeti, Mimoza Hajdarmataj, Lisandër Hoxha dhe Aulon Kalaja kërkuan rinumërim votash në Tiranë dhe Durrës, por kërkesat e tyre u rrëzuan me pretendimin se ligji nuk lejon kandidatët të ankohen, por vetëm koalicioni apo PD-ja si drejtuese e koalicionit. Vetë PD-ja nuk ka bërë asnjë kërkesë për rinumërim votash dhe i tradhtoi kandidatët.
Por duket sikur Berisha vijon të tallet me ta. Sot, PD-ja i është drejtuar me një tjetër kërkesë KQZ-së dhe sërish nuk ka për objekt të saj rinumërimin. Sipas PD-së, pas llogarive të vetë KQZ-së rezultojnë mbi 130 mijë fletë që mungojnë dhe kërkohet nisja e një hetimi menjëherë!
Pra, PD-së nuk i interesojnë votat e kandidatëve të saj dhe duket qartë se Berisha të gjithë ata që la në listë të hapur i la me planin për t’i ‘djegur’.
Por sot ai ka marrë dy goditje të forta. E para i erdhi nga aleati i tij, Ilir Meta. Ndonëse PD-ja i fitoi zgjedhjet në Bashkinë e Kavajës, Partia e Lirisë ka bërë kërkesë për rinumërim votash në disa njësi të kësaj zone me pretendimin se rezultati është trukuar.
Nga ana tjetër, Ilir Alimehmeti ka vendosur të mos dorëzohet. Tani i është drejtuar me një kërkesë Kolegjit Zgjedhor, duke ndjekur të gjitha shkallët e ankimit. Ai kërkon rinumërim në Tiranë, pasi vetë e ka deklaruar se ka dyshime se votat e tij janë vjedhur brenda listës. Po ashtu, edhe vetë Aulon Kalaja ka thënë se ka pasur trafikim votash.
Pra, dyshimet janë se Berisha apo njerëz pranë tij kanë orientuar votën te lista e hapur, ose kanë bërë makinacione me numëruesit dhe tani nuk duan që të zbulohet kjo gjë. Të gjithë kandidatët e listës së hapur ndihen të tradhtuar dhe të lënë në baltë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje