
Analisti Fatos Lubonja ka ngritur pikëpyetje mbi aftësinë e opozitës shqiptare për t’u bashkuar përballë “autokracisë elektorale” të ndërtuar nga kryeministri Edi Rama.
Në një intervistë për “News 24”, ai theksoi se zhvillimet në Hungari ofrojnë një shembull të qartë për mënyrën se si opozita mund të organizohet dhe të sfidojë pushtetin përmes një fronti të përbashkët.
“Ajo që ndodhi në Hungari ishte bashkimi i opozitës… për të goditur atë që quhet autokraci elektorale, siç jemi dhe ne”, u shpreh Lubonja, duke theksuar rëndësinë e bashkimit si prioritet për zgjedhjet.
Ai theksoi se në Shqipëri mungon një qasje e tillë, teksa shton se sipas tij, opozita shpesh përfshihet në përplasje të brendshme, duke lënë në plan të dytë përballjen me qeverinë.
“Këtu bëhet luftë e një opozite kundër një opozite tjetër sesa një aftësi për t’u bashkuar kundër një autokrati”, deklaroi Lubonja.
Analisti shprehu skepticizëm nëse një bashkim i gjerë është i realizueshëm në kushtet aktuale, duke theksuar se mungesa e një vizioni të përbashkët dhe qëndrimet e ndara e bëjnë të vështirë krijimin e një fronti të fortë opozitar.
Ai shtoi gjithashtu se Shqipëria nuk mund të krahasohet plotësisht me Hungarinë, për shkak të dallimeve në zhvillimin ekonomik, fenomenin e emigracionit dhe ndikimin e krimit të organizuar.
Lubonja kritikoi edhe qasjen individualiste të liderëve politikë, duke theksuar nevojën për një kulturë bashkëpunimi më të gjerë në funksion të stabilizimit të demokracisë.
“Ne nuk jemi Hungaria. Këtë tonin e duan akoma evropianët, jo të gjithë, por e duan. Hungarisë s’i ka ikur populli si këtu në Shqipëri, Hungaria nuk është nën sundimin e krimit të organizuar siç jemi ne këtu. Pra ka dallime dhe aftësia për t’u bashkuar bën pjesë të aftësia e popullit për t’u bashkuar. Shqiptarët përgjithësisht thonë unë e s’ka tjetër, unë jam Skënderbeu që do ju shpëtojë…”, u shpreh analisti ndër të tjera.
Lini një Përgjigje