Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me sekuestrimin nga SPAK të hotelit “Zig Zag” në Vuno, duke pretenduar se trualli mbi të cilin theksuar ndërtuar objekti është tokë publike dhe jo pronë private.
Gjatë një konference për mediat, Berisha publikoi një hartë që sipas tij, ishte bërë publike më herët nga ish-kreu i Kadastrës, Artan Lame. Kreu i PD-së tha se Lame nuk e regjistroi tokën e pretenduar nga familja Rama dhe se pas publikimit të kësaj harte u largua nga detyra.
“Pra e shihni Artan Lame publikon hartën, i cili ka meritën që nuk e regjistroi kurrë tokën e pretenduar nga Edi Rama, Olsi Rama, mamaja e tyre e ndjerë Aneta Koleka, pasi xhinsi i tyre i provuar me dokumente ishte në varfëri ekstreme. Pra toka është publike, sipas hartës që ka publikuar toka e hotelit Zig Zag është publike, nuk është private. Pasi publikoi këtë hartë Edi Rama e shkarkoi me tërbim”, deklaroi kreu i PD.
Berisha ngriti gjithashtu dyshime për mënyrën e përfitimit të truallit ku është ndërtuar hoteli, duke theksuar se prona ndodhet pranë tokës që, sipas tij, pretendohet nga Edi Rama dhe familjarët e tij. Ai tha se nuk janë identifikuar shitësit e tokës dhe se dokumentacioni i saj ngre pikëpyetje.
“Për tre vite Isa Aliu bashkë me noterin nuk e kanë ditur se për regjistrimin në ASHK duhet kontrata e shit blerjes dhe raporti i vlerësimit. Por pozicioni ku është blerë toka lë shumë për të dyshuar. Disa gjëra që janë të sigurta janë fakti se toka ndodhet në kufij me tokën e pretenduar nga Edi Rama. Ndërsa dyshimi i fortë mbetet se kjo tokë është brenda kufijve për të cilën Edi Rama, e ndjera Aneta Rama dhe Olsi Rama pretendojnë. Ne nuk kemi mundur të gjejmë shitësit, as mënyrën si e kanë përfituar shitësit këtë tokë. Është rasti i parë në histori, ku ka blerës pa shitës. Në certifikatën e regjistrimit zëri kadastral është shënuar pemtore, në një vend që ka pasur vetëm shkurre. Pra në rast se nuk do ishte shënuar e tillë, çdo lloj forme përfitimi, qoftë me AMTP qoftë me trashëgimi do ishte e pamundur të posedohej pasi në Vuno janë ndarë me ligjin 7501 janë ndarë vetëm ullishtet”, u shpreh Berisha.
Lini një Përgjigje