Partia Socialiste zhvillon këtë të shtunë mbledhjen e Grupit Parlamentar, ku në qendër të diskutimeve do të jenë procesi i integrimit europian, investimet strategjike në turizëm dhe ecuria e Reformës Administrative Territoriale.
Sipas agjendës së publikuar, mbledhja do të hapet në orën 10:00 nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ndërsa më pas deputetëve do t’u drejtohet Kryeministri dhe kryetari i PS-së, Edi Rama.
Një nga temat kryesore të mbledhjes do të jetë informimi mbi konkluzionet e Konferencës së Tetë Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Europian dhe ecuria e negociatave të anëtarësimit të vendit në BE. Deputetët do të njihen gjithashtu me paketën e ligjeve që lidhen me procesin e integrimit europian dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian.
Në rendin e ditës është përfshirë edhe një informim mbi procedurat e ndjekura deri më tani për investimin në Zvërnec dhe interesin e shprehur për zhvillimin turistik të ishullit të Sazanit, një projekt që ka ngjallur interes publik dhe debat në muajt e fundit.
Grupi Parlamentar do të diskutojë gjithashtu mbi ecurinë e Reformës Administrative Territoriale, si dhe mbi zbatimin e detyrave të lëna nga mbledhja e kaluar dhe performancën e deputetëve socialistë.
Pas çdo raportimi është parashikuar hapësirë për pyetje dhe diskutime nga deputetët, me një kohëzgjatje jo më shumë se dy minuta për çdo folës.
Mbledhja do të mbyllet me konkluzionet dhe fjalët përmbyllëse të Kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Grupit Parlamentar, Taulant Balla.
Lini një Përgjigje