Bota23 Prill 2023, 22:15

SHBA, një valë e re kandidatësh republikanë pritet të hyjnë në garën për president

Shkruar nga Pamfleti

SHBA, një valë e re kandidatësh republikanë pritet të

Deri më tani vëmendja mbi zgjedhjet paraprake për kandidatin për president të Partisë Republikane është përqendruar kryesisht tek kundërshtitë në rritje mes ish-Presidentit Donald Trump dhe Guvernatorit të Floridas Ron DeSantis.

Por, pas një qetësie disamujore, një valë e re kandidatësh republikanë pritet të hyjnë në garë, ndoshta që javën e ardhshme. Ndër ta do të jetë Guvernatori i Arkansasit, Asa Hutchinson, i cili do të nisë zyrtarisht fushatën e tij të mërkurën.

Ish-Nënpresidenti Mike Pence ka thënë se do të njoftojë planet e tij pas “disa javësh, jo muajsh”. Ai ka patur një agjendë të ngjeshur me vizita të hershme nëpër shtetet amerikane ndërsa ka diskutuar me ndihmësit e tij për të bërë njoftimin për kandidim ndoshta që në muajin maj apo qershor.

Senatori nga Karolina e Jugut, Tim Sott, i cili ka krijuar një komitet për të shqyrtuar mundësinë e kandidimit për president, pritet të hyjë në garë në të njëjtën periudhë.

Ish-guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie, ka bërë takime me ndihmësat e tij dhe u rikthye këtë javë në Nju Hempshër, ku tha gjatë një takimi publik në këtë shtet, ku zhvillohen zgjedhjet e para paraprake në Shtetet e Bashkuara, se “sot është fillimi i rastit kundër Donald Trumpit”. Zoti Christie ka thënë se do të marrë një vendim “në javët në vazhdim”.

Kandidatët do të futen në garë në një moment jetik, ndërsa zoti DeSantis, i cili ende nuk ka shpallur zyrtarisht fillimin e fushatës po has vështirësi në përmbushjen e pritshmërive shumë të larta që kishin disa nga mbështetësit e tij të hershëm. Ai ka humbur mbështetje përballë ish-Presidentit Trump në radhët e zyrtarëve të zgjedhur republikanë në shtetin e tij dhe ka krijuar shqetësim në radhët e partisë se qëndrimet e tij për abortin dhe të drejtat e komunitetit LGBTQ, mes çështjeve të tjera, mund ta bëjnë të pamundur fitoren e tij në zgjedhje.

Gjatë javëve të fundit, ish-Presidenti Trump ka konsoliduar statusin e tij si kandidati i hershëm kryesues, madje edhe pasi iu ngritën akuza penale në Nju Jork.

Ndër aspirantët e tjerë republikanë janë ish-ambasadorja në OKB dhe ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley, si dhe sipërmarrësi në fushën e teknologjisë Vivek Ramaswamy, të cilët njoftuan kandidimin e tyre në muajin shkurt.

Ka ende shumë dinamika të panjohura, përfshirë nëse do të hyjnë në garë guvernatorë të tjerë, si Kristi Noem e Dakotës së Jugut, apo Chris Sununu i Nju Hempshërit. Senatori i Teksasit, Ted Cruz dhe Guvernatori i Virxhinias Glenn Youngkin gjithashtu nuk kanë përjashtuar mundësinë e kandidimit.

Presidenti Biden pritet të shpallë fushatën e tij për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 ndoshta që javën e ardhshme. Ai përballet me konkurencë miminale në garën për të marrë nominimin e Partisë Demokrate./VOA

shba gara presidenciale republikanët