
Kur duhen numëruar edhe më pak se 8 mijë zarfe nga diaspora, Blerina Gjylameti, kandidate për deputete e Partisë Socialiste në Qarkun e Tiranës, i është drejtuar zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me një kërkesë.
Ajo kërkon pamjet filmike të procesit të numërimit të votave në të gjithë Qarkun e Tiranës, duke ngritur pretendime për mungesë të transparencës në proces.
Në një letër drejtuar kreut të KQZ-së, Ilirjan Celibashi, Gjylameti kërkon akses të plotë në video-regjistrimet e çdo tavoline numërimi. Ajo thekson se pamjet do të përdoren “vetëm për qëllime verifikimi” dhe se do të respektohen të gjitha procedurat ligjore në fuqi.
Kjo lëvizje vjen në një moment delikat: Gjylameti ndodhet vetëm rreth 100 vota pas Olta Xhaçkës – ish-ministres së Mbrojtjes – dhe në këtë fazë, nuk përfshihet në listën e fituesve të PS-së në Tiranë. Duket qartë se loja nuk ka mbaruar ende, të paktën për Gjylametin, e cila nuk pranon të dalë nga skena pa u luftuar deri në fund.
Në pritje të përgjigjes së KQZ-së dhe numërimit të zarfeve nga diaspora, mbetet për t’u parë nëse ky “verifikim” do të shërbejë për të kthyer rezultatin, apo do të mbulojë një krizë të heshtur në radhët e PS.
“I nderuar zoti Celibashi! Unë kërkuesja, në cilësinë e kandidates për deputete në zonën zgjedhore Qarku Tiranë për zgjedhjet parlamentare të datës 11.05.2025, Ju drejtohem me këtë kërkesë për të më vënë në dispozicion pamjet filmike të procesit të numërimit të votave të subjekteve dhe kandidatëve në të gjithë qendrat e numërimit të Qarkut Tiranë.
Pamjet e kërkuara do të përdoren vetëm për qëllime verifikimi dhe brenda kuadrit ligjor, duke respektuar të gjitha procedurat e kërkuara nga kuadri ligjor në fuqi”, shkruan Gjylameti në kërkesën e saj.
Lini një Përgjigje