TAGS-AT E JAVËS

Politike13 Maj 2025, 15:40

Sherri te KZAZ 40/ Përplasja me PD-në për një mandat; Shehaj kërkon 7 vota, Këlliçi vëzhgon

Shkruar nga Pamfleti

Sherri te KZAZ 40/ Përplasja me PD-në për një mandat; Shehaj

Partia Mundësia e Agron Shehaj dhe Partia Demokratike e Sali Berishës duket se po përplasen në Tiranë për një mandat deputeti. Mundësia pretendon mandatin e dytë, të cilin nëse e merr, i zbritet PD-së, e cila në Qarkun e Tiranës, momentalisht bazuar te votat, ka 14 mandate. Nëse Shehaj merr mandatin e 2-të në Tiranë, atëherë PD e Berishës zbret në 13 mandate deputetësh.

Duket se kjo është arsyeja që në KZAZ 40, e vendosur në palestrën e shkollës “Sami Frashëri” dhe që mbulon Njësinë 9, ka pasur tensione dhe përplasje. Agron Shehaj pretendon se 7 fletë të rregullta votimi që kanë shenjën ‘X’ te Partia Mundësia janë konsideruar të pavlefshme nga grupet e numërimit, për shkak se fletët kanë një ngjyrë më të zbehtë se pjesa tjetër e fletëve të votimit.

Shehaj shprehet se fletët janë të rregullta dhe nuk ka pse të shpallen të pavlefshme. “Fletët janë të rregullta, kanë dy vula të Komisionit të Qendrës së Votimit, atëherë pse shpallen të pavlefshme. Komisionerët thonë se kanë ngjyrë më të zbehtë”, tha Shehaj.

Pretendimet e deputetit dhe kreut të Mundësia, Agron Shehaj, kanë shkaktuar debate dhe përplasje, çka ka detyruar anëtarët e KZAZ të njoftojnë policinë, e cila ka nxjerrë jashtë ambienteve të vend-numërimit të votave vëzhguesit.

Sipas kandidatit të Partisë Mundësia, Erald Kapri, janë shpallur të pavlefshme 7 vota të subjektit të tij pa asnjë shpjegim ligjor.

“Kaluan votat në skaner, u numëruan, kur papritur 7 vota të Mundësisë u shpallën të pavlefshme, pa thënë arsye. Pastaj thanë do i bëjmë 3 dhe më pas pretenduan se ngjyra e fletës ishte e zbehtë. Këto fletë nuk iu treguan vëzhguesve tanë sipas rregullave”, shprehet Kapri.

Ndërkohë, në KZAZ-në 40 është paraqitur edhe drejtuesi politik i PD-së për Tiranën, Belind Këlliçi. Ky i fundit nuk është përfshirë në debate, por ka vëzhguar atë se çfarë po ndodhte. PD ka dy anëtarë në Komisionet e Numërimit të Votave, ndërsa Mundësia ka vetëm vëzhgues.

Nëse fletët që sipas anëtarëve të grupeve të numërimit konsiderohen me ngjyrë tjetër, atëherë do të jetë KQZ që do të marrë një vendim. Nëse rezulton se ato janë me ngjyrë tjetër dhe nuk përputhen me numrat e serive, atëherë në rastin konkret mund të kemi një krim zgjedhor, për të cilin duhet hetuar. Gjithsesi për momentin ky mbetet vetëm një dyshim, për të cilin i mbetet KQZ të vendosë.

Debati

Shehaj: Me jep fletët. Nuk janë të tuat, janë të qytetarëve, hajt tani jepi. Mendon se po kërcënon, nxirr votat e partisë Mundësia, pse duhet të vijnë kandidatët.

Komisioneri i KZAZ: Faleminderit për edukatën.

Shehaj: Ata kanë futur duart me ne këtu, jo më të dalim ne jashtë.

Lini një Përgjigje