Kreu i PD, Sali Berisha ka komentuar shkarkimin e dy këshilltarëve demokratë në bashkinë e Durrësit, të cilët ishin mbështetës të Ervin Salianjit.
Berisha tha se ata kanë punuar për Partinë Socialiste dhe se sipas tij ‘kush punon për kundërshtarin ka dalë vetë jashtë partisë’.
“Nëse punon për kandidatët e PS, ti ke mbajtur një qëndrim që ke nxjerrë veten jashtë partie.
Nëse ti je në këshill dhe shkon njëherë në 6 muaj dhe shkon për të marrë ato lekët, ti tradhton dhe shkelmon ata që të kanë votuar.
Nëse ti je në këshill dhe përdor pushtetin për të asfaltuar apo përfituar favore personale nuk është ky se të kanë votuar qytetarët e Durrësit, por të kanë votuar për të mbrojtur interesat e tyre jo për të zgjidhur çështje personale”, tha Sali Berisha.
Partia Demokratike përjashtoi nga grupi i saj i këshilltarëve në Bashkinë e Durrës, kryetarin e grupit Dritan Burgija, si dhe këshilltarin Arlind Boshku.
Shkak është bërë mbështetja që ata i kanë dhënë lëvizjes së ish-deputetit Ervin Salianji, që kërkon reformim të strukturave drejtuese të selisë blu.
Sipas vendimit zyrtar, përjashtimi është bërë “në mbështetje të statutit të partisë dhe rregullores së brendshme”, për “shkelje të dispozitave që lidhen me etikën dhe integritetin”.
Në vendimin e firmosur dhe vulosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, propozohet edhe kryetari i ri Ardian Muka.
Në dokumentin me titull “Për ndryshimet në grupin e këshilltarëve të PDSH në Këshillin Bashkiak Durrës”, theksohet se “vendimi bazohet në nenet 24, 40 dhe 48 të statutit të PDSH, si dhe në Kodin e Sjelljes dhe ligjin “Për vetëqeverisjen vendore”.
Po ashtu, në vendim propozohet emërimi i Ardian Mukës si kandidat për kryetar të ri të grupit të këshilltarëve demokratë në Këshillin Bashkiak Durrës.
Burgija dhe Boshku i kanë dhënë mbështetje ish-deputetit Ervin Salianji, në një kohë kur brenda Partisë Demokratike po zhvillohen diskutime, ndërsa është caktuar edhe data e garës për kreun e saj, më 23 maj.
Vendimi mban datën 23 mars 2026 dhe është firmosur nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka.
Lini një Përgjigje