
Këshilli Bashkiak do të zyrtarizojë sot kërkesën e këshilltarëve socialistë për shkarkimin e Erion Veliajt si Kryebashkiak i Tiranës, pas ultimatumit që Edi Rama iu dha nga Asamblea Kombëtare e PS-së më 10 shtator.
Brenda 13 ditësh, Rama detyroi këshilltarët e PS-së në Këshillin Bashkiak që të firmosin një kërkesë për shkarkimin e Veliajt, duke vënë në lëvizje Këshillin Bashkiak, që pritet t’i propozojë Këshillit të Ministrave largimin e Kryebashkiakut të zgjedhur, i cili prej 10 shkurtit 2025 ndodhet me masën e sigurisë arrest me burg.
Këshilltarët e PS po përdorin një klauzolë ligjore, sipas të cilës nëse Kryetari i Bashkisë nuk paraqitet për 3 muaj në detyrë, ai largohet.
Por në anën tjetër, Kryebashkiaku i zgjedhur i ka kërkuar Këshillit që të dëgjohet, pra të japë argumentet e tij përballë këshilltarëve, që të gjithë së bashku në zgjedhjet e 2023-it, kanë marrë më pak vota se Veliaj.
Por edhe kjo mundësi nuk i është dhënë, ndërsa Kryebashkiakut i kërkohet që të paraqesë me shkrim pretendimet e tij.
Kjo është pika që ndan në qëndrime këshilltarët e majtë nga ato të opozitës, kryesisht PD-së, pasi qofshin ata nën presionin e Ramës, ashtu edhe ata të Berishës, do të bashkojnë votat në fund për të larguar Erion Veliajn nga zyra e Kryebashkiakut.
Demokratët nuk e diskutojnë bashkimin e votave me socialistët për shkarkimin, thjesht kërkojnë një procedurë tjetër, me pretendimin që vendimi të mos jetë i atakueshëm në Gjykatën Kushtetuese.
Dhe nëse kjo procedurë nuk respektohet, demokratët dhe aleatët e saj në Këshillin Bashkiak, nuk e kushtëzojnë pjesëmarrjen në mbledhje, por janë të gatshëm të votojnë në ndoshta paktin e rradhës mes Ramës dhe Berishës.
Dhe zyrtarizimi i procedurave për shkarkimin e Veliajt ka nisur në Komisionin e Çështjeve Ligjore dhe Drejtësisë Sociale, i cili do të shqyrtojë zyrtarisht kërkesën, ndërsa në orën 16:00 është planifikuar mbledhja vendimtare e Këshillit Bashkiak. Komisioni i Çështjeve Ligjore pritet të hartojë një relacion, ku pavarësisht bindjeve personale që mund të kenë këshilltarët, do të jetë në të njëjtën gjatësi vale me urdhërin e prerë të Bablokut: asgjësimin politik të Erion Veliajt si Kryebashkiak i zgjedhur.
Kërkesa, e mbështetur nga anëtarët socialistë të këshillit, bazohet në nenin 62 të ligjit “Për Vetëqeverisjen Vendore”, i cili parashikon shkarkimin e një kryebashkiaku nëse ai mungon në detyrë për më shumë se tre muaj pa ndërprerje.
Sipas këshilltarëve, që prej arrestimit të Veliajt më 10 shkurt, Tirana ka qenë pa një drejtues të zgjedhur dhe situata kërkon një zgjidhje të menjëhershme.
Demokratët pretendojnë se socialistët po shkojnë drejt qëndrimit të shfaqur më herët nga këshilltarët e opozitës, që kërkonin shkarkimin e Veliajt si Kryebashkiak, duke e kthyer gjithçka që po ndodh, në një lojë që sot luhet mes këshilltarëve, por që në prapaskenë qëndrojnë Edi Rama dhe Sali Berisha.
Lini një Përgjigje