TAGS-AT E JAVËS

Politike20 Qershor 2026, 12:41

“Shpirtra të humbur në PS”, Rama thumbon Spiropalin: Mezi pres të shoh draftin e Shqipërisë së re

Shkruar nga Pamfleti
“Shpirtra të humbur në PS”, Rama thumbon Spiropalin: Mezi
Edi Rama dhe Elisa Spiropali

Kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim të gjatë në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së ku sulmoi protestën qytetare, influencerët, foli për luftën online dhe fajësoi algoritmet që çdo gënjeshtër po e kthejnë në të vërtetë, teksa nuk harroi të thumbojë edhe Elisa Spiropalin, ish-ministren e Jashtme, e cila indirekt ka shprehur mbështetjen për protestën.

Pak ditë më parë, në një reagim publik, Spiropali tha se Shqipëria ndodhet në një fazë të re zhvillimi, ku sfida kryesore është forcimi i kufizimeve të brendshme të pushtetit dhe rritja e kontrollit institucional mbi të. Sipas saj, vendi ka nevojë për një marrëveshje të re për Shqipërinë, ndërsa vuri theksin në ndarjen e pushteteve dhe fuqizimin e opozitës për të qenë “shqisa” që kthen qeverinë në kontakt me realitetin, ndërsa vetë shoqëria që duhet të prodhojë debat.

“Është kollaj protestave të sotme t'u sillesh rrotull me llafe boshe, me konspiracione dhe hamëndje shterpe: Cilin krim kreu Lady Makbethi, pse i iku gjumi, pse ngrihej natën somnambul, pse mbante qiri në dorë?

Tani që të gjithë Makbethat vrasës dhe Hamletat dyshues kanë dalë sheshit dhe kanë hyrë në lojë, tani që vrasja është bërë, gjaku është derdhur, ndërgjegjet janë tronditur, gjumi është prishur, çfarë duhet bërë diçka tjetër? Jo diçka dosido. Diçka shekspiriane. Diçka e qëndrueshme. Diçka që po u bë, nuk zhbëhet.

Për fat, kjo pyetje ka përgjigje.

Çka duhet bërë sot është një marrëveshje e re për Shqipërinë”, tha Spiropali

Ndërkohë sot nga mbledhja e Grupit Parlamentar, Edi Rama e ka ftuar deputeten, edhe pse nuk ia përmend emrin, që të paraqesë me shkrim draftin për Shqipërinë e re.

“Është edhe një thirrje për një Shqipëri të re, dhe ka dhe disa shpirtra të humbur në partinë tonë, që duan një Shqipëri të re.

Mezi pres që të na e sjellin draftin e Shqipërisë së re të shkruar. Por kam frikë se nuk do vijë kurrë, sepse Shqipëria e re është si të gjitha siluetat e flamingove, njërën prej të cilave e mbante Fatos Lubonja. Fatosi poshtë, flamingo lart dhe ‘hi hi hi hi Shqipëria e re’. Do kritikohemi e sulmohemi, por kemi detyrimin të mos zgjedhim rrugën e lehte, të mos zgjedhim të jemi popullorë, kur duhet të jemi të përgjegjshëm”, tha Rama.

 

 

 

rama spiropali thumbime

Lini një Përgjigje