Politike28 Shkurt 2024, 16:55

Shqipëria, ‘fabrika’ e luftës Moskë- Kiev: favoret dhe rreziqet!

Shkruar nga Pamfleti
Shqipëria, ‘fabrika’ e luftës Moskë- Kiev: favoret
Edi Rama dhe Volodimir Zelensky /

“Duhet të prisni raketat ruse”, tha tekstualisht Zekensky, ç’ka është realisht e jo metaforikisht, një logjikë përfshirëse e Shqipërisë në luftë.

Në ditën e vizitës së Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Tiranë, Edi Rama vulosi atë që flitej nën zë. Pra që vendi të kthehej në një fabrikë municionesh për armatimet.

Siç e kemi thënë në faqet e Pamfletit që ditën e vizitës së Blinkenit, ajo nuk ishte një ‘drekë falas’ për Edi Ramën, siç nuk ishte e tillë as vizita e John Kerry në 2016, kur Rama pranoi të gjithë muxhahidinët iranianë nga Iraku, apo edhe në 2004, kur erdhi Colin Paowll, e Shqipëria miratoi marrëveshjen që Traktati i Romës nuk duhet të zbatohet. Pra nëse një ushtar amerikan bën krime në një territor jashtë SHBA, nuk mund gjykohet nga një gjykatë ndërkombëtare.

Le të kthehemi në ditën e ardhjes së Blinken në Tiranë; ajo ishte një ‘qokë’ pas OK të Edi Ramës për të nisur prodhimin e magazinimin e një sasie të madhe municionesh në Shqipëri për ushtrinë e Ukrainës. Konkretisht bëhet fjalë për predha topash kundraajrore 20 milimetra, 35 milimetër, 37 milimetër, 57 milimetër, 75 milimetër, 80 milimetër dhe 100 milimetër. Predha mortajash 60 milimetër, 82 milimetër, 120 milimetër. Predha të topave kundërtank 75 milimetër, të obuzave 120 milimetër, si dhe municione të mitralozëve aq të famshëm në Shqipëri, 12.7.

Me një fjalë, Shqipëria do të fillojë së shpejti në Elbasan, të prodhojë një sasi municionesh, si në kulmin e kohës së Enverit. Të gjitha këto materiale që konsiderohen si armë të rëndësishme për të kundërshtuar arsenalin luftarak rus, janë prodhuar në Shqipëri dikur me shumicë, por që u ndaluan si pjesë e programit të aplikimit për në NATO, ku Shqipëria nuk duhet të prodhonte më material sovjetik e kinez. Të cilët më pas u nxorën nga magazinat për të furnizuar ushtrinë afgane, e që solli një aferë biznesi që përfshiu sferat e larta të pushtetit, që nga grykesia e madhe hodhën në erë një fshat të tërë e vranë 28 persona, ndër ta edhe fëmijë, në Gërdec.

Për të rikapituluar çështjen; ushtarakisht Shqipëria, që sot është një vend që do të prodhojë municionet që i duhen Ukrainës.

Po pyetja që vjen natyrshëm është: po pse Ukraina nuk i prodhon dot këto municione në vendin e vet, edhe pse është një vend i madh dhe me industri luftarake të zhvilluar?

Ukraina prodhon realisht një sasi të madhe municionesh luftarake, por që janë mjaft të vogla në krahasim me atë sasi që industria ruse e luftës arrin të prodhojë.

Nga ana tjetër, Rusia që në fillim të fushatës ndaj Ukrainës ka bombarduar e shkatërruar një pjesë të madhe të industrisë luftarake në Ukrainë. Por mbi të gjitha, pjesa më e madhe e industrisë ushtarake të Ukrainës ndodhet në Donbas, në pjesën që sot kontrollohet nga rusët. Edhe pse një zonë e vogël, ajo është pjesa më e pasur e vendit dhe më e lakmuara nga britanikët, rusët natyrisht, por edhe ukrainasit, që e konsiderojnë pjesë të integritetit të tyre territorial.

Megjithatë, ka vende të tjera të NATO-s që kanë qenë prodhuese më të mëdha të materialeve luftarake të modelit rus, siç është Polonia, vendet balltike, Bullgaria, Rumania, apo edhe Kroacia, Mali i Zi e Maqedonia.

Po përse kjo detyrë e rëndë ju dha Shqipërisë?

Polonia është një vend që konsiderohet si një nga skifterët kundër Rusisë, madje kërkon një aksion të fortë, por vetë Ukrainës nuk i ka dhënë asnjë avion apo municion. Njësoj edhe vendet Balltike.

Bullgaria është i vetmi vend i lidhur dikur me Moskën që ka ndihmuar Ukrainën me armë, por pas kësaj qeveria e Sofies ka rënë, e sot e kësaj dite, vendi nuk ka pasur stabilitet edhe pse ka zhvilluar disa palë zgjedhje.

Rumania, e cila ka një interes direkt, ngaqë Rusia ka aneksuar Transnistria-n, një pjesë të Moldavisë në kufi me të, është e frikësuar për vdekje.

Po përse atëherë Shqipëria?

Referuar filmit të famshëm ‘Wag the dog’, përgjigja është: “Përse Jo?!”

Por në realitet sërish duket sikur ne jemi futur si ‘pilaf’ në këtë mes.

Ndoshta në logjikën e një aleance, apo luajaliteti me SHBA, një borxh që ne ja kemi amerikanëve, apo edhe një protagonizëm në NATO, nuk mund të përjashtohet.

Në fund të fundit, shumica e opinionit shqiptar e mbron Ukrainën, por a duhet dikush ta informojë publikun, t’i shpjegojë për çfarë bëhet fjalë?

Në radhë të parë të pyesë Kuvendin e Shqipërisë, i cili është institucioni sovran i vendit, e ndoshta edhe publikun në një lloj referendumi. Sepse me këtë veprim, Shqipëria bëhet pjesë e luftës, pjesë e të cilës nuk pranoi të bëhet Polonia, Rumania, Bullgaria, e vendet balltike. Vetë Presidenti i Ukrainës, Zelensky, tha në konferencën për shtyp me Edi Ramën, krejt qartë, se Shqipëria mund të jetë një target i sulmeve ruse.  

“Duhet të prisni raketat ruse”, tha tekstualisht Zekensky, ç’ka është realisht e jo metaforikisht, një logjikë përfshirëse e Shqipërisë në luftë.

Por a mund ta vendosë këtë Edi Rama.

E në fund, çfarë përfiton Shqipëria nga kjo përfshirje?

Me sa duket ai që përfiton më shumë është Edi Rama, që duket se po kërkon mandatin e katërt si një “komandant në luftë”, ndërsa vendi nuk dihet se çfarë përfiton. Simpatinë e SHBA? Po përse këtë nuk e deshën Polonia, vendet Balltike apo edhe Rumania e Bullgaria që kanë marrë ndihma direkte më shumë? Ndoshta realisht ne jemi më të mbrojtur se këto vende, dhe Shqipërisë i takonte ta mbante këtë rol, por jo si një çmim për të fituar Edi Rama, por si angazhim i gjithë vendit. Ndaj ngjan si “mish dhie”…/Pamfleti

shqipëria fabrika e luftës favoret rreziqet moskë- kiev