
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar pas tensioneve të regjistruara gjatë protestës së zhvilluar para Kuvendit, duke kritikuar mënyrën e ndërhyrjes së Policisë së Shtetit ndaj protestuesve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zhupa rikujtoi episodin e ndodhur në fund të muajit maj në Zvërnec, ku një protestues kundër investimit në zonë u tërhoq zvarrë nga roje private. Sipas saj, pamjet e protestës së sotme ngjajnë me atë ngjarje, ndërsa ajo ngriti pyetjen nëse ka dallim mes sjelljes së policëve dhe personave që ushtruan dhunë në atë rast.
"Nga çfarë ndryshojnë këta policë nga banditët e firmës private në Zvërnec, të cilët ushtruan dhunë ndaj qytetarëve? Nëse njëri përdor uniformën e një kompanie dhe tjetri uniformën e shtetit, por të dy godasin njerëz të pambrojtur që protestojnë. Ku është ndryshimi?", shkruan Zhupa.
Deputetja demokrate pretendon se ndërhyrja e policisë ka qenë joproporcionale dhe se protesta është një e drejtë kushtetuese që duhet të mbrohet.
"Për disa vezë të hedhura në shenjë proteste, Policia e Shtetit zgjodhi të përgjigjej me grushte, shqelma, tërheqje zvarrë dhe dhunë ndaj qytetarëve. Pamjet janë tronditëse dhe të papranueshme në një shtet demokratik. Protesta është një e drejtë kushtetuese. Policia ka detyrimin të garantojë rendin, jo të hakmerret ndaj qytetarëve", vijon reagimi i saj.
Zhupa shprehet gjithashtu se përdorimi i forcës ndaj protestuesve nuk është zgjidhje dhe se, sipas saj, qeveritë që zgjedhin represionin përballë dialogut humbasin mbështetjen e qytetarëve.
"Kur përdoret forcë e pajustifikuar për të frikësuar këdo që ngre zërin kundër qeverisë, atëherë kemi të bëjmë me një polici kriminale që i shërben pushtetit dhe jo shtetit. As dhuna, as frika dhe as represioni nuk do ta zgjasin jetën e një pushteti që ka humbur besimin e qytetarëve. Historia e ka treguar se çdo qeveri që zgjedh forcën në vend të dialogut e afron fundin e saj", përfundon Zhupa.
Lini një Përgjigje