Nga përplasjet te Kuvendi te sulmet ndaj opozitës, mbyllet protesta-maratonë
Pas një dite të gjatë protestash, marshimesh dhe tensionesh, qytetarët kanë mbyllur mbrëmjen e sotme ditën e 31-të të revoltës, duke u rikthyer sërish para Kryeministrisë. Nga ora 10:00 e mëngjesit deri në orët e vona të mbrëmjes, protesta u shndërrua në një maratonë 12-orëshe, e cila nuk pati në shënjestër vetëm qeverinë, por edhe opozitën.
Dita nisi para Kuvendit të Shqipërisë, ku u regjistruan përplasjet më të forta me policinë. Disa protestues u shoqëruan në komisariat, ndërsa pamjet e qytetarëve që tërhiqeshin zvarrë u bënë një nga momentet më të komentuara të protestës.
Pas incidenteve, turma u zhvendos përpara komisariatit të policisë, ku priti lirimin e të shoqëruarve. Me daljen e tyre, protestuesit i pritën me duartrokitje dhe brohoritje, duke e cilësuar reagimin e policisë si një përpjekje për të frikësuar lëvizjen.
Në orët e pasdites, protesta u rikthye para Kryeministrisë, ku organizatorët dhe qytetarët mbajtën fjalime të ashpra. Për herë të parë, kritikat nuk iu drejtuan vetëm qeverisë. Nga podiumi u sulmua hapur edhe opozita, e cila u akuzua se nuk reagoi kur protestuesit u përplasën me policinë.
"Ku ishit kur na tërhoqën zvarrë para Parlamentit?", ishte mesazhi që u adresua deputetëve të Partisë Demokratike, ndërsa protestuesit përsëritën se nuk besojnë më as te Partia Socialiste dhe as te Partia Demokratike, duke i konsideruar të dyja pjesë të së njëjtës klasë politike.
Ndërkohë, në të njëjtën ditë kur protesta vijonte në rrugë, qeveria miratoi vendime për bonuset e pensionistëve dhe ndryshime në buxhet, masa që protestuesit i interpretuan si një përpjekje për të zbutur pakënaqësinë sociale dhe për të ruajtur mbështetjen në administratën publike.
Pas më shumë se dy orësh fjalime, qytetarët nisën marshimin e përnatshëm. Ndalesa e parë ishte sërish përpara Kuvendit, aty ku paradite ishin regjistruar incidentet. Për disa minuta, turma brohoriti "Turp, turp!" dhe "Policia e krimit!", duke iu referuar ndërhyrjes së forcave të rendit.
Marshimi vijoi më pas pranë selisë së Partisë Demokratike, ku u dëgjuan thirrjet "PS-PD, këlysha komunistësh", apo "Rama në burg, Berisha në burg", një slogan që po përsëritet prej ditësh dhe që pasqyron mesazhin e protestuesve se revolta është kundër gjithë klasës së vjetër politike.
Mbrëmja u mbyll aty ku nisi tubimi i pasdites, para Kryeministrisë. Me flamuj kuqezi në duar dhe thirrjet "Rama ik", "Rama jep dorëheqjen", "Shqipëri e re" dhe "Ju erdhi fundi", protestuesit përfunduan një tjetër ditë mobilizimi.
Pas 31 ditësh protestë të pandërprerë, lëvizja po synon të ushtrojë presion jo vetëm mbi qeverinë, por edhe mbi opozitën parlamentare, duke kërkuar ndryshim të të gjithë sistemit politik. Ndërsa qeveria po vijon të shpallë masa sociale dhe financiare, organizatorët këmbëngulin se do të vazhdojnë aksionet edhe në ditët në vijim, me ndalesën e radhës të paralajmëruar para Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku do të dorëzojnë librin "Albanian Files" si provë e krimeve të Ramës.
Lini një Përgjigje