
Mësohet se ‘zotëria 1 milionë dollarë’ e ka xhindosur Edi Ramën, i cili ka dhënë porosi të urdhërojnë Pezën që të ndalojë menjëherë çmendurinë e tij. Rama nuk e ka takuar fare Fredon as përpara dhe as pas zgjedhjes, duke refuzuar edhe kërkesat e njëpasnjëshme. Ai ka deleguar Fugën të merret me të, siç është marrë kur e dërgonte në panelet televizive të darkës për të mbrojtur qeverinë, por që më shumë i prishte punë...
Edi Rama nuk e ka qejf fare median publike. Kur u rikthye në Shqipëri në 1997, për një vizitë të shkurtër, loboi te Fatos Nano, për të vendosur në krye të RTSH-së, mikun e tij, studiuesin e njohur e të kulturuar Ardian Klosi.
I ndjeri Klosi, u vu në krye të institucionit por u largua shpejt. Kjo sepse, ai u tmerrua nga klima e rëndë, korrupsioni, horllëku, e imoraliteti që gjeti në atë institucion elitar.
Dr. Klosi, mbahet mend gjatë drejtimit të shkurtër të medias publike për një manierë që as njihej në këtë vend të egër. Ai i drejtohej çdokujt me të cilin bashkëbisedonte me fjalët: “të lutem”, “faleminderit”, “më fal”, edhe pse ishin vartës të tij të nivelit si punonjës arkive, montazhierë apo edhe roje.
Në kohën e Klosit RTSH, mori sjelljen e tij të butë e xhentile. Por siç ndodhën punët, Klosin e shkarkuan pas pushtimit të halabakëve të Sali Berishës në 14 shtator 1998, dhe ai instutitucion u vodh e u keqpërdor drejtor pas drejtori.
Rama e ka ndarë mendjen sa u bë kryeministër se do ta mbyllte RTSH-në siç ndodhi në Greqi me ERT-në gjatë kohës së krizës. Por s’e arriti dot. E bëri me Agjencinë Telegrafike Shqiptare, ku çoi një ish-fotografen e tij si drejtuese dhe e ka kthyer në një portal qeveritar.
Me arrestimin e Thoma Gëllçit, Rama mendoi të dërgojë atje një usta të menazhimit që vinte nga media private siç ishte Enkelejd Joti. I cili për pak kohë sa qëndroi jo vetëm zeroi humbjet, por nisi ta bënte rentabël RTSH-në, ku me këto para rriti mjaft edhe rrogat e teknikëve e personelit të domosdoshëm, pasi e njihte mirë këtë punë. Largimi i Jotit ishte enigmatik, e nuk dihet pse e braktisi një punë që thënë të drejtën po i ecte mirë.
Ca thonë se po tenton për një post politik të lartë, e ca të tjerë, sepse ai nuk donte ta kthente sinjalin e televizionit publik shqiptar, në një përcjellës, përgatitës, montazhues e kurues të materialeve propandistike të ERTV.
Fakt është, se Alfred Peza, ish-deputeti që nuk bëri as dy vjet në zonën e tij të Peqinit, prej kohësh i papunë, pasi sulmoi Ramën për llogari të Irfan Hysenbelliut, u dërgua si CEO i RTSH.
Një CEO, aktivitetin e nis nga fryma dhe nga financat. Alfred Peza, i quajturi edhe zotëria ‘1 milionë dollarë’, për paratë që u sekuestruan nga Gjykata si aksione në një bankë private, e nisi nga ajo që di më mirë.
Oficer ushtrie me profesion, e filloi punën në RTSH me rreshtore; orari, disiplina, veshja, sjellja, flokët e gjëra të tilla të kohës së babaqemos.
Ju futi tmerrin të gjithëve se do të largonte këdo, duke shkaktuar një terror, sidomos në sektorin e prodhimit audiovisual, që është edhe sektori më i rëndësishëm dhe kreativ. Por në mungesë të ideve, edhe pse ka punuar gazetar për një kohë të gjatë, ai e nisi nga rreshti, e sjellja që njihte mirë nga shkolla “Skënderbej”, ku mbi kadetët ushtrohej presion për t’i forcuar trupin e mendjen që ata të bëhen luftëtarë dhe strategë ushtrie.
Por përtej tmerrit që Peza futi në punonjësit e televizionit publik, ai bëri atë që bëjnë të gjithë drejtuesit. Heqin shefat e vendosin njerëzit e tyre. Këtë kanë bërë të gjithë, edhe paraardhësi i Pezës. Por e bëri pa zhurmë, pa ua futur tartakutin, thjesht duke përdorur argumentin dhe duke marrë vendimet që ligji ja lejon.
Alfred Peza i hoqi drejtuesit e mëdhenj në një mënyrë alla komuniste, duke i çuar te kuadri e duke i kërkuar të mbrojnë punën e kinezërira të tilla. Kjo solli më pas një zhurmë të madhe, reagime, deri edhe të Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve.
Ricardo Gutierres, Sekretar i përgjithshëm i kësaj organizate ka reaguar për dy gjëra kohët e fundit; ka akuzuar Erion Veliajn se intimidoi një gazetare të BIRN dhe Alfred Pezën për shkarkimet masive siç e cilësoi.
Një raport i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, shkon direkt në Bruksel, e sipas gjasave, këto masa të Pezës do të futen si në Raport-Progresin e BE për Shqipërinë, ashtu edhe në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Lirinë e Shprehjes. Raporte që janë kyçe në gjykimin e qeverisë. E kjo masë, mësohet se e ka xhindosur Edi Ramën, i cili ka dhënë porosi të urdhërojnë Pezën që të ndalojë menjëherë çmendurinë e tij. Rama nuk e ka takuar fare Alfred Pezën përpara dhe pas zgjedhjes, duke refuzuar edhe kërkesat e njëpasnjëshme. Ai ka deleguar Fugën të merret me të, siç është marrë kur e dërgonte në panelet e darkës për të mbrojtur qeverinë, por që më shumë i prishte punë.
Në portalin e bashkëqeverisjes apo në mesazhe, Ramës i kanë shkuar të gjitha ankesat për drejtorin e RTSH. Madje mësohet se i kanë shkuar edhe gjëra të “çuditshme” që ndodhin nga çaushllarët që marrin poste publike.
Ka një mesazh për një farë Tafani që Peza e mban hapur se e ka gruan e shokut, të cilin do ta bëjë drejtor teknik e gjëra të tilla, për të cilat do të flasim në vazhdim...
“Nëse hiqesh si spartan, duhet të jesh i tillë me të gjithë, jo ca i mban dy orë në zyrë, e ca i heq nga puna.
Thanas Nano, ishte i ashpër shumë, por me të gjithë, sidomos me shefat. Punonjësit i trajtonte mirë madje”, thotë një punonjës i vjetër i RTSH që Peza e nxori në pension. A thua se i prish punë përvoja e një njeriu që e njeh institucionin me rrënjë.../Pamfleti
Lini një Përgjigje